Kushtetuta nuk është roman

02 maj 2020 | 09:28

Blerim Reka

Gjykata Kushtetuese e konfirmoi atë që botërisht dihej: nuk mund të krijohet vullnet politik duke shkelur Kushtetutën. Ashtu, siç nuk ngrehet shtëpia mbi themele të dyshimta, as nuk formohet qeveria me shkelje të Kushtetutës.

Gjykata vetëm konfirmoi, se nuk mund t’i jepet mandati partisë së dytë pa e refuzuar e para. E Kushtetuesja nuk gjeti provë se e para këtë e kishte refuzuar! Fundja, Gjykata Kushtetuese nuk e shkruan Kushtetutën. Ajo vetëm vlerëson, nëse ajo shkelet.

Norma kushtetuese nuk është roman, që nga kritikët letrarë analizohet me pyetjen se: “çka ka dashtë të thotë autori”? Ajo vetëm zbaton atë që e ka shkruar “autori”. Jo, siç ne e kuptojmë, por siç e thotë norma kushtetuese. Ajo nuk e interpreton kushtetutën siç e do, por vetëm siç e ka shkruar kushtetutëdhënësi. E në Kushtetutë nuk shkruan se për sa ditë partia e parë duhet ta dërgojë emrin e mandatarit. Këtë mund ta bëjë vetëm Kuvendi, me ndryshimin e kësaj Kushtetute, ku do të caktojë këtë afat.

Derisa nuk ka afat të tillë, Kushtetuta nuk është shkelur nga ai që duhej ta dërgonte emrin, por nga ai që nuk e priti dërgimin e emrit të mandatarit. Më qartë se kaq nuk shkon.

Nëse prapë nuk e kuptoni, lexoni Kelsenin, “babën” e konstitucionalizmit.

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministria e Shëndetësisë dhe ajo e Turizmit në Shqipëri po…