Kuvendeve komunale u lejohet mbajtja e seancave

09 maj 2020 | 09:46

Ministria e Administrimit dhe Pushtetit Lokal, në konsultim edhe me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka aprovuar kërkesën e Asociacionit të Komunave për mbajtjen e kuvendeve të komunave.

“Kërkojmë dhe mendojmë që ka ardhur koha që komunave t’u lejohet organizimi i takimeve të rregullta të Kuvendeve të Komunave sepse po kemi shumë çështje të ndryshme e në mënyrë që këto të gjejnë zgjidhje, kërkohen edhe vendime të Kuvendeve të Komunave. Në këtë rast kërkojmë nga MAPL të fillojë me shqyrtimin e ligjshmërisë së vendimeve të Kuvendeve të Komunave”, thuhet në kërkesën e Komunave adresuar përmes Asociacionit të Komunave tek institucionet qendrore të Kosovës.

MAPL-ja, pas konsultimeve me Ministrinë e Shëndetësisë dhe Institutin Kombëtar të Shëndetit Publik, ka kthyer përgjigjen për kryetarët e komunave: “Kuvendet e Komunave mund ta fillojnë realizimin e planit të tyre të punës të miratuar për vitin 2020, përkatësisht mund të rifillojnë me mbajtjen e mbledhjeve të Kuvendeve të Komunave.

Këto aktivitete kuvendet e komunave mund t’i realizojnë përmes video-konferencave, aty ku është e mundur ndërkaq, nëse ndërmerren veprime të domosdoshme për shkak të situatës emergjente, takimet mund të zhvillohen në ambiente të përshtatshme, por edhe të hapura dhe të ajrosura mirë, me distancë mes njëri-tjetrit, në përputhje të plotë sipas standardeve të OBSh-së. Do të thotë, komunat janë të obliguara, me rastin e mbajtjes së mbledhjeve të kuvendeve të komunave, t’i respektojnë me korrektësi masat e përcaktuara nga Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShP) dhe Ministria e Shëndetësisë, si: masat e distancimit fizik, mbajtja e maskave dhe dorëzave, dezinfektimi i hapësirave publike ku mbahen mbledhjet e kuvendit etj.

Po ashtu, MAPL ka njoftuar se do të fillojë ta bëjë shqyrtimin administrativ të akteve të komunave në ndërlidhje të kërkesës sonë në këtë çështje”, thuhet në komunikatë.

 

(B. D.: “Epoka e re”)  

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Drejtori ekzekutiv i programit të Emergjencave Shëndetësore të Organizatës Botërore…