Kuvendi dhe GLSP-ja nënshkruajnë memorandum bashkëpunimi
Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe drejtoresha ekzekutive e Grupit për Studime Juridike dhe Politike (GLPS), Arbëreshë Loxha – Stublla, kanë nënshkruar të enjten një memorandum bashkëpunimi.
Qëllimi i këtij memorandumi është mundësimi i zbatimit të projektit të titulluar: “Rritja e efikasitetit – Monitorimi dhe vlerësimi i zbatimit të parimeve të sundimit të ligjit në Kosovë, në bazë të listës së kontrollit të sundimit të ligjit të Këshillit të Evropës”, i financuar nga Ambasada e Mbretërisë së Holandës në Kosovë, në kuadër të programit “MATRA” dhe zbatuar nga GLPS-ja.
Ky projekt synon të bëjë matjen e zbatimit të “Listës së Parimeve” në kuadër të Këshillit të Evropës, dhe të kontribuojë në përmirësimin e sundimit të ligjit në Kosovë përmes metodologjisë së krijuar nga ekspertët juristë në GLPS.
Memorandumi po ashtu përcakton veprimet e përbashkëta ndërmjet Kuvendit të Kosovës dhe GLPS-së sa i përket implementimit të këtij projekti, si dhe përgjegjësitë e secilës palë, me synim final të dhënies së qasjes së plotë në të dhëna publike, të nevojshme për zbatimin e projektit në përputhje me legjislacionin përkatës për qasje në dokumentet publike dhe klasifikim të informacionit.
Kuvendi i Republikës së Kosovës angazhohet për transparencë dhe bashkëpunim konstruktiv me shoqërinë civile.