Kuvendi diskuton përfitimet e inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor

16 shtator 2024 | 15:54

Instituti Demokraci për Zhvillim (D4D), në partneritet me Institutin Kombëtar për Demokraci (NDI), ka organizuar të hënën një tryezë diskutimi me temën “Zgjedhjet dhe teknologjia: ndikimi në demokracinë moderne”.

Në këtë ngjarje morën pjesë ekspertë, politikëbërës dhe përfaqësues të shoqërisë civile, të cilët shqyrtuan sfidat dhe mundësitë që ofrojnë inovacionet teknologjike, përfshirë aspekte të sigurisë, transparencës dhe besimit të publikut.

Në një kohë kur teknologjia po transformon thellësisht çdo aspekt të procesit zgjedhor, qëllimi i këtij diskutimi është të shqyrtojë sfidat dhe ndikimin e saj në transparencë, angazhimin e votuesve, dhe sigurinë, si dhe të analizohet si përparimet e reja teknologjike po ndikojnë në këto fusha.

Ish-drejtori i NDI në Kosovë, Carlo Binda tregoi përfitimet e përdorimit të inteligjencës artificiale në procesin zgjedhor, mirëpo shtoi se për të siguruar që ai nuk minon bazat e demokracisë duhet të vendosen kornizat adekuate ligjore.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, tha se megjithëse digjitalizimi ndihmon procesin zgjedhor, kjo e fundit nuk guxon tërësisht të varet nga teknologjia.

Ndërkaq, shefi i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës, Ableard Tahiri, tha se digjitalizimin e administrimit zgjedhor e kanë pasur prioritet në reformën e miratuar zgjedhore. “Ajo çka ofron teknologjia, mënyrën e regjistrimit, mënyrën e votimit, numërimit të votave është shumë me avancuar sesa ka qenë para 1 dekade”, theksoi Tahiri.

Pjesëmarrës në këtë tryezë ishte edhe zëdhënësi i Komisionit Qendror Zgjedhor, Valmir Elezi, i cili tha se ky institucion ka arritur t’i digjitalizojë shumë nga operacionet zgjedhore për zgjedhjet e 9 shkurtit.

Ky aktivitet është realizuar me mbështetjen e projektit rajonal “SMART Balkans – Shoqëria civile për vlera të përbashkëta në Ballkanin Perëndimor” të zbatuar nga Centar za promociju civilnog društva (CPCD), Qendra për Kërkim dhe Politikëbërje (CRPM) dhe Instituti për Demokraci dhe Ndërmjetësim (IDM) dhe i mbështetur financiarisht nga Ministria e Punëve të Jashtme Norvegjeze (NMFA).

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Nazim Mulaku, i njohur me nofkën ‘Bio Mulaku’ është liruar…