Kuvendi dje mbajti seancë për situatën në veri, ja si përfundoi debati
Kuvendi i Kosovës nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, u mblodh dje në seancë të veçantë, për të debatuar për situatën në veri të Kosovës.
Fillimisht, kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, sqaroi se me propozim të Kryesisë së Kuvendit, kryeministri Albin Kurti është ftuar për të raportuar në Kuvend për gjendjen në veri të vendit dhe për raportet me SHBA-në.
Duke marrë fjalën në seancë, kryeministri Albin Kurti paraqiti një kronologji që nga dorëheqja e kryetarëve të katër komunave në veri të Kosovës, deri në ditën kur kryetarët e rinj të dalë nga zgjedhjet e lira të 23 prillit 2023 dolën në vende të punës.
Kryeministri Kurti tha se ka qenë e domosdoshme prezenca e shtuar e Policisë së Kosovës në veri, duke potencuar se ndërtesat e komunave janë të Republikës së Kosovës, të cilat u braktisën nga ish-kryetarët nga komuniteti serb.
“Eskalimi i situatës më 29 maj ishte i planifikuar, ishte mirë i organizuar dhe e kishte autor Beogradin zyrtar”, tha kryeministri Kurti, duke shtuar se Serbia organizoi grupe kriminale që vërtet të eskalojë situatën në veri të Kosovës, siç edhe ndodhi.
Por, e kundërta duhej të ndodhte, theksoi kryeministri Kurti.
“Do duhej të mbështeteshin kryetarët e rinj, të cilët duhet të punojnë në vendin e tyre të punës. Po mungon deklarata për mbështetjen e kryetarëve të komunave deri në zgjedhjet e reja”, theksoi Kurti, duke shtuar se në veri është vepruar në përputhje me interesat e qytetarëve të Kosovës.
Kreu i qeverisë sqaroi se nuk ka pasur asnjë befasi, por bashkëveprim dhe koordinim me faktorin ndërkombëtar.
“Qeveria ime beson thellësisht në miqësinë e përhershme me SHBA-të, shtetet e Bashkimit Evropian e më gjerë. Ne jemi thellësisht transantlantik. SHBA-të dhe Bashkimi Evropian bashkë me njëra-tjetrën dhe bashkë me neve. Por, qasja ndaj Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë e njëjtë. Serbia është vend autokratik. Serbia nuk është vend demokratik”, tha Kurti ndër të tjera, duke shtuar se gabimin e Listës serbe për bojkot të zgjedhjeve nuk duhet ta paguajë Kosova.
Në vazhdim, në emër të Grupit Parlamentar të LVV-së, foli deputetja Mimoza Kusari Lila, e cila tha se situata në veri nuk është një sekuencë e shkëputur e një ngjarje “ad hoc”.
“Situata në veri të vendit është zinxhir e ngjarjeve, të cilat përmbajtësisht nuk kishin ndryshuar rrjedhë që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por ka ndryshuar dinamikë, e tani po ndryshon edhe në përmbajtje.
Perceptimi se në veri të vendit para një dekade kishte zhbërje të strukturave paralele, doli të ishte një percepcion i gabueshëm”, tha ajo, duke përmendur ndikimin e vazhdueshëm të Serbisë në veri të Kosovës.
Veprimet e institucioneve në veri, shtoi ajo ishin dhe janë në përputhje me ligjet dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës, si dhe në linjë me faktorin ndërkombëtar.
Tutje, duke folur në emër të Grupit Parlamentar të PDK-së, deputeti Memli Krasniqi kritikoi kryeministrin Kurti për tensionimin e situatës në veri, si dhe për moskoordim me faktorin ndërkombëtar.
“Mos të keqkuptoni, e drejtë është të shkojmë në ato komuna. Edhe unë e di saktë se mund të shkojmë në ato komuna. Mund t’i çojmë kryetarët e komunave me polici dhe se nuk mund t’i ndalojnë as bandat kriminale të Vuçiqit, të cilat kanë për t’u tërhequr. Por, a më tregoni nëse kostoja është rrezikimi me krejt aleatët e Kosovës, nëse kostoja janë ndëshkimet që tashmë të kanë filluar, e të cilat mund të vazhdojnë, a bën ta di, a mendoni se ia vlen?”, theksoi deputeti Krasniqi.
Duke iu referuar raporteve me SHBA-në, Krasniqi tha se ato janë të shenjta për popullin e Kosovës dhe se nuk do të lejohet që të rrezikohen nga askush.
Më pas, në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, foli deputeti Lumir Abdixhiku.
Ai tha se si rrjedhojë e politikës së Kurtit, Kosova vazhdon të sulmohet nga bandat serbe, kurse kryeministri Kurti është në sulm ndaj miqve dhe aleatëve ndërkombëtarë të Kosovës.
“Si rrjedhojë, Kosova ka përfunduar e përballur me tension dhe paaftësi për të ushtruar detyrat bazike e kushtetuese të kryetarëve të zgjedhur në mënyrë demokratike, por ka përfunduar edhe me dënim, sanksione dhe penalizim ndërkombëtar në përmasa të papara ndonjëherë më parë”, theksoi ai.
Lidhur me përballjen me Serbinë dhe me bandat serbe në veri, Abdixhiku shtoi se pa aleatët Kosova nuk ka gjasa të ushtrojë as sovranitetin, as integritetin dhe as stabilitetin, por të humbas edhe aleatët edhe sovranitetin.
Seanca, vazhdoi me qëndrimin e deputetit Ramush Haradinaj, në emër të Grupit Parlamentar të AAK-së. Haradinaj adresoi kritika në adresë të kryeministrit, veçmas për raportet me faktorin ndërkombëtar, të cilat sipas tij, po rrezikohen.
Në këtë kontekst, Haradinaj u propozoi deputetëve të Kuvendit të iniciohet mocion mosbesimi për ta shkarkuar kryeministrin Albin Kurti.
Seanca vijoi gjatë tërë ditës me diskutime të deputetëve të tjerë, të cilët paraqitën pikëpamjet e tyre lidhur me situatën në veri të Kosovës, përderisa disa herë në foltore dolën anëtarë të kabinetit qeveritar, të cilët dhanë qëndrimet e qeverisë në shumë çështjet të ngritura.