Kuvendi do ta përkrahë peticionin për bashkimin e Mitrovicës
Kryetari i Komunës së Mitrovicës së Jugut, Agim Bahtiri, ka shprehur optimizëm se iniciativa për bashkimin e Mitrovicës do të ketë sukses qind për qind.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka shprehur bindjen se Kuvendi do ta përkrahë këtë peticion.
“Ky peticion do të ketë sukses sepse është vullnet i qytetarëve dhe vullneti i qytetarëve është fuqia më e madhe që jep rezultat. Këtë vullnet e kanë edhe qytetarët serbë në Kosovë të cilët janë lodhur nga strukturat paralele të Serbisë. Jemi munduar me çdo kusht që të bashkëpunojmë me veriun, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Të gjithë duan që Mitrovica ta ketë statusin e qytetit të bashkuar. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se Kuvendi i Kosovës do ta përkrahë peticionin për bashkimin e Mitrovicës”, është shprehur Bahtiri.
Ai ka treguar se në këtë rrugëtim nuk është i vetëm, mirëpo e ka mbështetjen e pozitës dhe të opozitës.
“Po, e kemi edhe mbështetjen e tyre. Unë jam në koalicion me Vetëvendosjen në Mitrovicë dhe aktivistët e Vetëvendosjes, bashkë me të tjerët, kanë mbledhur nënshkrimet e peticionit. Jam shumë i bindur se ata do ta mbështesin peticionin për bashkimin e Mitrovicës. Për këtë arsye kam biseduar me nënkryetarin e parë të LDK-së, Agim Veliu, edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin”, ka deklaruar Bahtiri.
Sipas tij, Mitrovica do të jetë një komunë e bashkuar, me vetëm një kryetar, i cili selinë do ta ketë në pjesën e veriut dhe do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pavarësisht prej kombësisë së tyre.
Bahtiri u ka bërë thirrje institucioneve që të kontribuojnë në procesin e bashkimit të Mitrovicës sepse, sipas tij, kjo është në të mirën e shtetit dhe popullit.
“Ky është vullnet i qytetarëve, vullnet i atyre që e duan Mitrovicën me zemër dhe kryetari që është zgjedhur nga populli do ta dëgjojë popullin. Unë jam shërbëtor i popullit dhe jo i partisë politike. Prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve që të kontribuojnë në këtë proces duke e mundësuar atë që është në të mirë të popullit, bashkimin e Mitrovicës”, ka theksuar kryetari Bahtiri.
“Epoka e re”: Kryetar, të mërkurën i keni dorëzuar kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit, peticionin me 16 594 nënshkrime përmes të cilit synoni bashkimin e Mitrovicës. Prisni mbështetjen e Kuvendit për jetësimin e këtij peticioni?
Bahtiri: Natyrisht se pres mbështetjen e Kuvendit të Kosovës për peticionin për bashkimin e Mitrovicës. E di saktë se peticioni do të kalojë dhe kjo do të jetë çështje madhore për të gjithë qytetarët e Kosovës, në veçanti për ata të Mitrovicës. Bashkimi i Mitrovicës është kërkesë legjitime që po bëhet përmes Kuvendit në pamundësi që kjo procedurë të shkojë përmes ministrit të Administrimit të Pushtetit Lokal i cili është nga komuniteti serb. Kjo na ka detyruar që ta bëjmë një peticion dhe për pesë ditë janë mbledhur 16 594 nënshkrime dhe nënshkrues të tij janë edhe disa qytetarë të komunitetit serb të cilët nuk janë lodhur nga strukturat paralele që dirigjohen nga Serbia.
“Epoka e re”: Ka rrezik që edhe ky peticion ta ketë fatin sikurse të tjerët, pra të mbete në sirtarët e Kuvendit?
Bahtiri: Duhet ta dini se kryetari Agim Bahtiri nuk merr asnjë nismë pa pasur përkrahje. Do t’ia dal me sukses kësaj nisme sepse jam konsultuar me shumë njerëz brenda dhe jashtë vendit. Kam biseduar me përfaqësuesit e subjekteve politike dhe me deputetë të shumtë të cilët më kanë përkrahur plotësisht. Shpresoj dhe jam i bindur se çdo shqiptar i cili e ka një pikë gjak shqiptari do ta përkrahë iniciativën për bashkimin e Mitrovicës. Mitrovicës i është bërë një e padrejtë dhe rreth 15 000 banorë të pjesës së veriut janë refugjatë në qytetin e vet dhe nuk mund të kthehen në pronat e tyre. Nëse shteti i Kosovës ia mundëson secilit qytetar të ndihet i lirë, kjo që po ndodh në veri nuk do të ndodhë më tutje. Mitrovica do të jetë një komunë e bashkuar, me vetëm një kryetar i cili selinë do ta ketë në pjesën e veriut dhe do të jetë në shërbim të të gjithë qytetarëve pavarësisht prej kombësisë që i takojnë.
“Epoka e re”: Do ta zhvendosni zyrën në veri?
Bahtiri: Po, kryetari i Mitrovicës të bashkuar do të jetë në pjesën e veriut.
“Epoka e re”: Keni marrë mbështetje edhe nga partitë opozitare?
Bahtiri: Po, e kemi edhe mbështetjen e tyre. Unë jam në koalicion me Vetëvendosjen në Mitrovicë dhe aktivistët e Vetëvendosjes, bashkë me të tjerët, kanë mbledhur nënshkrimet e peticionit.
“Epoka e re”: Peticionit i duhet mbështetja e Vetëvendosjes në qendër, pra votat e deputetëve në Kuvend.
Bahtiri: Jam shumë i bindur se ata do ta mbështesin peticionin për bashkimin e Mitrovicës. Për këtë arsye kam biseduar me nënkryetarin e parë të LDK-së, Agim Veliu, por edhe me kryetarin e Vetëvendosjes, Albin Kurtin.
“Epoka e re”: Megjithatë, iniciativa juaj nuk ka marrë mbështetjen e kryeministrit Haradinaj.
Bahtiri: Ky është mendimi juaj. Unë nuk e di që Haradinaj nuk e mbështet këtë iniciativën.
“Epoka e re”: Nuk e di se çfarë ju ka thënë personalisht, por në deklarata publike nuk e ka mbështetur.
Bahtiri: Mbase e keni dëgjuar në një rrethanë tjetër, mirëpo unë kam biseduar me të dhe me kryetarët e komunave të AAK-së të cilët më përkrahin qind për qind. Por, është Kuvendi i Republikës së Kosovës ai që do të marrë vendim si organi më i lartë i shtetit dhe nuk kam dilemë se nisma për bashkimin e Mitrovicës do të përfundojë me sukses.
“Epoka e re”: Çfarë do të bëni në rast se do të dështojë?
Bahtiri: Sa herë kam marrë vendime me qytetarë kam pasur sukses. Besoj se edhe tani do të kem sukses.
“Epoka e re”: Kryetar, si është e mundur që Mitrovica të bashkohet me anë të një peticioni kur një gjë e tillë nuk ka mundur të ndodhë gati që 20 vjet as nga vendorët e as nga bashkësia ndërkombëtare, madje as pas procesit të dialogut?
Bahtiri: Ky peticion do të ketë sukses sepse është vullnet i qytetarëve dhe vullneti i qytetarëve është fuqia më e madhe që jep rezultat. Këtë vullnet e kanë edhe qytetarët serbë në Kosovë të cilët janë lodhur nga strukturat paralele të Serbisë. Jemi munduar me çdo kusht të bashkëpunojë me veriun, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur dhe qytetarët janë të zhgënjyer me këtë, prandaj tani janë të gjithë që Mitrovica ta ketë statusin e qytetit të bashkuar. Shpresoj shumë dhe jam i bindur se Kuvendi i Kosovës do ta përkrahë peticionin për bashkimin e Mitrovicës.
“Epoka e re”: Z. Bahtiri, Kosova dhe Serbia po synojnë arritjen e një marrëveshje përfundimtare. Bashkimi i Mitrovicës do të jetë në kuadër të kësaj marrëveshje?
Bahtiri: Nisma jonë ka për qëllim që të mos cenohet integriteti territorial i Kosovës. Dihet qëndrimi im sa i përket çështjes së kufijve. Peticioni ka të bëjë me Mitrovicën e cila ka qenë një komunë dhe do të jetë e tillë. Jam i bindur se iniciativa për bashkimin e Mitrovicës do të ketë sukses qind për qind.
“Epoka e re”: Si do që të jetë, në opinion ka pasur zëra se këtë iniciativë e keni bërë për arsye politike dhe për vota. Ka diçka të vërtetë në këtë?
Bahtiri: Kjo është për të qeshur. Agim Bahtiri asnjëherë nuk është politik. Po të dua të bëj politikë bëj gjithë ditën, por kjo nuk ndodh. Ky është vullnet i qytetarëve, vullnet i atyre që e duan Mitrovicën me zemër dhe kryetari që është zgjedhur nga populli do ta dëgjojë popullin. Unë jam shërbëtor i popullit dhe jo i partisë politike. Prandaj u bëj thirrje të gjitha institucioneve që të kontribuojnë në këtë proces duke e mundësuar atë që është në të mirë të popullit, bashkimin e Mitrovicës.
“Epoka e re”: Po qe se bëhet kështu si ia keni mësyrë, do të hyni në histori që e keni bashkuar Mitrovicën pas 20 vjetësh të ndarjes.
Bahtiri: Unë nuk do të hyj në histori, por do të hyjë populli i Mitrovicës që ka vuajtur shumë nga kjo ndarje dhe nga kjo padrejtësi. Ky do të jetë viti i bashkimit të Mitrovicës.
Shqipe HETEMI