Kuvendi do të diskutojë për propozim-rezolutën për mbështetjen urgjente financiare të Policisë
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë të jashtëzakonshme të enjten, në të cilën seancë pikë e rendit të ditës do të jetë “Shqyrtimi i propozim-rezolutës për mbështetjen urgjente financiare për Policinë e Kosovës”.
Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë nga kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Abelard Tahiri, në emër të deputetëve nënshkrues.
“Policia e Kosovës, si njëri prej institucioneve më të rëndësishme të sigurisë në Republikën e Kosovës, zyrtarët e të cilës me vetëmohim dhe përgjegjësi të lartë, në çdo kohë e çdo rrethanë, janë në nivelin më të mirë të detyrës, për fat të keq janë diskriminuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës. Fakti se, që nga hyrja në fuqi (05 shkurt 2023) e Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik, zyrtarëve policor i është ndalur shtesa e rrezikshmërisë, paraqet një vendim te padrejtë që ndikon drejtpërdrejtë në mirëqenien e tyre, të familjeve të tyre por edhe në vullnetin dhe motivin përballë punës së përditshme sfiduese. Janë bërë tetë muaj që Policia e Kosovës nuk është duke i gëzuar shtesat e rrezikshmërisë. Që nga fillimi i ndalimit të kësaj shtese, ka pasur paqartësi dhe premtime të mbajtur nga zyrtarët qeveritarë. Policia e Kosovës është ende në pritje të ekzekutimit të kësaj pagese”, thuhet në kërkesën për seancë.
Aty thuhet se është koha e fundit për të marrë masa të menjëhershme për miratimin e ligjit për pensionim të parakohshëm dhe pagesën e sigurimit shëndetësor për zyrtarët policorë.
Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.
Sipas draft-rezolutës thuhet se duhet të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (për secilin muaj).
Të obligohet qeveria që të propozojë buxhetin e nevojshëm për vitin e ri fiskal 2024 për mbulimin e pagesës së sigurimit shëndetësor për të gjithë zyrtarët policorë të Kosovës nga janari 2024 dhe të obligohet qeveria që brenda afatit prej 60 ditësh nga miratimi i kësaj rezolute, të marrë nismën për hartimin, propozimin dhe miratimin e Projektligjit për Pensionim të Parakohshëm të zyrtarëve policorë të Policisë dhe punonjësit e Inspektoratit.
Dhe të zotohet që shqyrtimi parlamentar i Projektligjit nga pika 3 e kësaj rezolute, të bëhet në procedurë të përshpejtuar në pajtim me rregullat e punës së Kuvendit.
Ndryshe, “Betimi për Drejtësi” më 7 tetor 2023 transmetoi hulumtimin “Nëpërkëmbja e statusit të policëve, saga e tenderit për të mbathur çizmet”, ku flitet sagën e tenderëve problematikë për t’iu siguruar kushtet elementare për zyrtarët policorë.