Kuvendi emëron Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës
Kuvendi i Kosovës ka emëruar Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës, që i hap rrugë funksionalizimit të Autoritetit të Konkurrencës. Pro emërimit të këtij komisioni kanë votuar vetëm deputetët e mazhorancës, ndërsa partitë opozitare janë përmbajtur nga votimi.
Duke paraqitur këtë komision, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se kanë bërë përpjekje që Kuvendit t’i propozojnë kandidatët e përgatitur profesionalisht, me integritet moral, mirëpo edhe me më shumë gra të përfshira në pozita vendimmarrëse.
“Autoriteti i Konkurrencës është institucion publik shumë i rëndësishëm për të mbrojtur konkurrencën e lirë dhe efektive në vend. Një institucion i cili ka qëllim të mbrojë konkurrencën si një e mirë publike e që i shërben të mirës së përgjithshëm. Andaj duke marrë parasysh rëndësinë e këtij autoriteti, ne si Qeveri kemi bërë përpjeke që Kuvendit t’i propozojmë kandidatë të përgatitur profesionalisht dhe integritet moral për Komisionin e Mbrojtjes së konkurrencës. Disa funksione të larta shtetërore kërkojnë dije dhe vendosmëri, por gjithsesi edhe më shumë gra të përfshira në pozita vendimmarrëse”, ka thënë Kurti.
Vërejtje për emrat e propozuar nga qeveria, ka paraqitur deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku.
“Qytetarët e Kosovës janë dëmtuar më shumë se 1 vit në mungesë të Autoritetit të Konkurrencës dhe tani nuk është arsyetim vetëm pse janë gra dhe patjetër duhet. Ne kemi vërejte në procedurë dhe emrat e propozuar. Prandaj ne si LDK dhe grup parlamentar nuk do të marrim pjesë në votim”, ka thënë ajo.
Kritika ka paraqitur edhe shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, i cili ka pasur edhe një epitet për qeverinë Kurti.
“Është qeveria që do të jetë në histori, si qeveria më e ngadalshme dhe më e dobët në marrjen e vendimeve për gjithçka. Autoriteti i Konkurrencës është jo funksional qysh prej 9 qershorit të vitit të kaluar dhe ky kryeministër nuk ka mundur të sjell pesë emra për me bërë një komision që me zgjedh një trup që është e rëndësishme për ekonominë e vendit”, ka thënë ai.
Lidhur me vonesat për emërimin e këtij komisioni është pajtuar edhe shefja e grupit parlamentar të LV-së, Mimoza Kusari-Lila, mirëpo ka thënë se emrat e propozuar nuk ofrojnë asnjë hapësirë për ta vënë në dyshim kredibilitetin dhe performancën e këtij autoriteti në të ardhmen.
Komisionin për Mbrojtjen e Konkurrencës e përbëjnë katër gra dhe një burrë. Kryesuese e Komisionit është Neime Binaku-Isufi, zëvendëskryetare, Kaltrina Sela, ndërsa Violeta Blakaj – Spaçi, Nafije Osdautaj dhe Besim Stublla janë anëtarë.