Kuvendi formoi organin për përzgjedhjen e anëtarëve të OShP-së
Deputetët e Kuvendit të Kosovës më 69 vota pro kanë formuar të enjten organin përzgjedhës të pavarur për përzgjedhjen e anëtarëve në Organin Shqyrtues të Prokurimit.
Ky proces është kritikuar nga opozita, e cila nuk ka marrë pjesë në votim, ndërsa pro kanë votuar deputetët e mazhorancës, Listës Serbe dhe komunitetet të tjera joshumicë.
Shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se qeveria Kurti është bërë pjesë e një afere korruptive në OShP me tender njëburimor.
Ai ka thënë se e njëjta nuk ka respektuar as procedurën e përzgjedhjes së anëtarëve me konkurs, derisa ka ironizuar edhe me qëndrimin e kryeministrit Kurti në ShBA.
“Qeveria është pjesë një afere korruptive me tender njëburimor, ky është problemi që e ka ky vend. Çka ka ndodhur sot, një orë para se të fillojë kjo pikë e rendit të ditës, qeveria online, kryeministri prej Uashingtoni, a ku është, e ka ndalë ‘Conter Strike’ dhe e ka ndërruar një emër se cili do të shkojë para panelit përzgjedhës”, ka thënë ai.
Kritik është shfaqur edhe deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, i cili i ka kërkuar ekzekutivit t’i tërheq emrat për anëtarët e OShP-së.
“Qeveria t’i tërheqë këto propozime, të shkojë me procedura të shpejta ose me konkurs. Mendoj se s’ka rrugë tjetër që të zgjidhen anëtarët dhe kandidatët që plotësojnë kriteret në organin shqyrtues të prokurimit”, është shprehur ai.
Ndërsa shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit të OSHP-në.
“Qeveria me vetëdije të plotë e ka shtyrë procesin e emërimit të bordit në OShP-së, për të vendosur një bord që i shkon përshtati kontraktimit të vetë qeverisë”, ka thënë ai.
Nga ana tjetër, këtyre akuzave u është kundërpërgjigjur, ushtruesja e detyrës së shefes së grupit parlamentar të Lëvizje Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila.
“Nuk mund ta prishim një praktikë që tregon rezultate pozitive. Andaj nëse dëshirojnë të gjejnë arsye për destruktivitetin e tyre në raport me proceset e rëndësisë le të provojnë metoda të tjera. Ne kemi në trajtim një pikë që është e rëndësisë së veçantë”, ka thënë ajo.
Anëtarët e organit për përzgjedhjen e anëtarëve të OSHP-së janë: Rrustem Thaçi nga Gjykata Supreme, Françiska Zhitia-Imeri nga Gjykata e Apelit dhe Nikolla Petronjeviq nga Gjykata Themelore në Mitrovicë.