Kuvendi i Komunal i Malishevës miraton buxhetin për vitin 2020
Kuvendi i Komunës së Malishevës ka miratuar me plotësime dhe ndryshime projektbuxhetin komunal të propozuar nga kryetari i kësaj komune, Ragip Begaj.
Projektbuxheti komunal për vitin 2020-2022, me theks të veçantë për vitin 2020, ka kaluar në disa procese të shqyrtimit dhe diskutimeve publike, ku fillimisht qeveria komunale, i ka mbajtur dëgjimet publike me qytetarë dhe e ka dërguar në Kuvendin e Komunës për shqyrtim.
Kuvendi Komunal i Malishevës më pas e ka dërguar në diskutim publik, dhe debatet i ka organizuar Kuvendi i Komunës.
Pas kalimit në të gjitha këto procedura të hartimit të buxhetit, ai sot është miratuar me shumicë të votave nga ana e anëtarëve të Kuvendit të Komunës.
Buxhet i Komunës së Malishevës për vitin 2020, është 15 milionë e 583 mijë e 802 euro dhe është i ndarë në pesë kategori buxhetore.
Për investime kapitale janë të ndara 3 milionë e 840 mijë e 909 euro.
/Epoka e re/