Kuvendi i Komunës së Gjilanit dështon sërish ta mbajë seancën
Kuvendi i Komunës së Gjilanit ka dështuar sërish të mbajë seancën e rregullt, për shkak se opozita, e cila e ka shumicën në këtë përbërje, po e kushtëzon pjesëmarrjen e saj me transmetim të drejtpërdrejt medial, duke mos u mjaftuar me transmetim oline përmes live stream dhe shpërndarjes së saj në shumicën e medieve lokale.
Avdyl Aliu, shef i grupit të këshilltarëve të LDK-së, ka thënë se nuk janë krijuar kushte për transparencë minimale, prandaj ata nuk pranojnë të jenë pjesë e seancës derisa nuk përmbushet kjo kërkesë e kahershme e opozitës.
“Ne jemi të interesuar për punë, por jo në këto kushte të territ informativ”, ka thënë Aliu.
Ndërkaq, Ismajl Kurteshi nga LV-ja tha se kjo seancë sot i përmbushë kushtet ligjore për t’u mbajtur dhe ka kërkuar nga grupi i këshilltarëve të LDK-së që të mos e braktisin Kuvendin. “Ata që e lëshojnë seancën marrin përgjegjësi para qytetarëve të komunës së Gjilanit”, ka thënë Kurteshi, duke shtuar se ajo që po kërkohet nga shefi i grupit të këshilltarëve të LDK-së është e përtej ligjshme, megjithëse u pajtua që edhe kjo kërkesë të plotësohet.
Pasi LDK-ja e braktisi sallën e mbledhjeve, Kuvendi mbeti pa kuorum, për çka kryesuesi Kushtrim Kadriu u detyrua te ndërpres seancën.
Përndryshe, në rend dite të seancës së sotme, të gjashtës me radhë, kanë qenë këto pika: Raporti i Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Komunës së Gjilanit për vitin 2023 (Plani i veprimit për zbatimin e Rekomandimeve të Zyrës Kombëtare të Auditimit), Vlerësimi i rreziqeve nga fatkeqësitë natyrore dhe fatkeqësitë tjera për Komunën e Gjilanit, Projekt Rregullorja për ndarjen e bursave, Diskutimi rreth ngritjes së kujdesit institucional për grupet e margjinalizuara.