Kuvendi i komunës së Mitrovicës aprovoi buxhetin komunal për vitin 2019
Nën drejtimin e kryesuesit, Jeton Ujkani dhe në prani të nënkryetarit të komunës, Faruk Mujka e bashkëpunëtorëve të tij, të enjten është mbajtur mbledhja e dhjetë e rregullt e Kuvendit të Komunës.
Pasi u aprovua rendi i ditës pas shumë diskutimesh dhe propozimesh dhe debatit të zhvilluar për gati dy orë lidhur me të, këshilltarët komunal miratuan ndryshimet dhe plotësimet në draft-rregulloren Nr. 03/2018 Për ndryshim dhe plotësim të Rregullores Nr. 03/2014 për caktimin e orarit të punës për subjektet afariste në Komunën e Mitrovicës.
Kështu barnatoret e qytetit tani e tutje do t’u lejohet të punojnë për një deri në orën 22:00, kurse në vend të tri barnatoreve tani e tutje do të kujdestarojnë katër sosh.
Pika më e rëndësishme e rendit të ditës në këtë mbledhje ishte propozim – vendimi për miratimin e buxhetit komunal për vitin 2019, ku lidhur me këtë pikë pati mjaft diskutime dhe propozime për ndryshim të pozicioneve.
Me disa ndryshime të theksuara, duke mos prekur shumën totale të buxhetit por vetëm ndryshime brenda pozicioneve, buxheti për vitin 2019 u aprovua nga këshilltarët e pranishëm të kuvendit të komunës.
Buxheti i komunës së Mitrovicës për vitin 2019 do të jetë 19.728.815 euro, i cili përbehet nga granti qeveritar në shumë prej 17.073.332 euro dhe të hyrat vetanake në shumë prej 2.464.403 euro.
/Epoka e re/