Kuvendi i Komunës së Mitrovicës nderoi Latif Berishën e Agim Hajrizin
Me një mbledhje solemne, të thirrur nga kryesuesi Safet Kamberi, Kuvendi i Komunës së Mitrovicës ka nderuar dhe përkujtuar dy nga personalitetet më emblematike të qytetit të Mitrovicës, Latif Berishën e Agim Hajrizin, të cilët ishin shpirti i lëvizjes për liri e demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë, që mizorisht u ekzekutuan në natën e 24 marsit të vitit 1999 nga policia fashiste serbe.
Në këtë mbledhje kanë marrë pjesë edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës, Ismet Beqiri, Anton Çuni, zëvendësministrat Gjergj Beka e Sami Zeka, përfaqësues të institucioneve tjera qendrore e lokale, veprimtarë të çështjes kombëtare, personalitete të jetës politike, kulturore etj.
Në adresimin para të pranishmëve, kryesuesi i Kuvendit të Komunës, njëherësh edhe kryetar i Degës së LDK-së në Mitrovicë, Safet Kamberi, ka thënë se Latif Berisha dhe Agim Hajrizi, ishin atdhetarë të devotshëm, intelektualë të shquar, veprimtarë të palodhur e të paharruar, familjarë shumë të dashur, bashkëpunëtorë të ngushtë e besnikë. “Njëzet vjet më parë Kosova dhe populli i saj po përjetonin gjenocid të paparë shtetëror serb. Bota progresive ndërkombëtare, NATO u angazhuan dhe nuk lejuan që të thellohet edhe më tej kjo tragjedi, prandaj vendosën ta ndëshkonin Serbinë, duke i bombarduar caqet ushtarake e policore të saj. Natën e 24 marsit, kur filluan bombardimet, kriminelët serbë ekzekutuan në mënyrën më mizore në shtëpitë e tyre dy nga personalitetet më emblematike të qytetit të Mitrovicës, Latif Berishën e Agim Hajrizin që deri në ato çaste ishin shpirti lëvizjes për liri dhe demokraci jo vetëm në Mitrovicë, por edhe më gjerë. Kështu, këta intelektualë e veprimtarë të devotshëm të qytetit tonë dhe të mbarë shqiptarisë shkuan nga kjo botë pa e pritur agimin e lirisë”, ka theksuar Kamberi.
Nënkryetari i Mitrovicës, Faruk Mujka, duke folur për atdhetarët Berisha e Hajrizi, ka thënë se puna e tyre me përkushtim, ideali i lartë patriotik dhe kombëtar, mbeten gjithmonë në zemrat e popullit tonë dhe se ata në këtë fushë dhe shumë të tjera ishin fanar i ndriçimit atdhetar, në të gjitha hapësirat.
Ndërkaq sekretari i LDK-së, Ismet Beqiri, ka thënë se ndjehet i privilegjuar që kishte pasur rastin t’i njoh nga afër shumë mirë të dy këta patriotë. Ai ka thënë se Latif Berisha e Agim Hajrizi ishin figura shumë të çmuara dhe kontribut dhënëse për lirinë të cilën populli i Kosovës e gëzon sot.
Në emër të familjarëve të pranishmit i ka falënderuar e bija e profesor Berishës, Fatmirja dhe motra e Agim Hajrizit.
/Epoka e re/