Kuvendi i Kosovës me performacë të dobët

21 nëntor 2021 | 13:46

Legjislatura e tetë e Kuvendit të Kosovës vazhdon të ketë performancë të dobët në përmbushje të agjendës legjislative.

Megjithëse pak ditë na ndajnë nga muaji i fundit i vitit, të zgjedhurit e popullit kanë miratuar vetëm 10 për qind të ligjeve në tërësi. Mungesa e funksionalitetit të Kuvendit, sidomos në sesionin vjeshtor ku partitë ishin fokusuar në zgjedhjet lokale është duke u konsideruar nga shoqëria civile si ndër arsyet e kësaj neglizhence. Nga opozita përgjegjësinë kryesore për performancën e dobët ia bartin mazhorancës, ndërsa në partinë në pushtet premtojnë një dinamikë të shtuar në ditët në vazhdim.

Drejtori i Institutit të Kosovës për Drejtësi, Ehat Miftaraj, ka thënë për “Kosovapress se deputetët muajt e fundit më shumë i kanë kushtuar rëndësi pjesëmarrjes në fushata zgjedhore se punës parlamentare.

Ai ka thënë se Kuvendi të paktën deri në fund të vitit duhet të përmbush 30 për qind të agjendës legjislative prej mbi 190 projektligjesh.

“Në bazë të monitorimit tonë sistematik mund të themi se si Qeveria ashtu edhe Kuvendi fatkeqësisht gjatë këtij viti nuk kanë arritur pothuajse as për së afërmi për ta përmbushur agjendën legjislative. Kuvendi i Kosovës mund të themi se nga 190 ligje që është paraparë në agjendën legjislative dhe tani ka miratuar vetëm 11 prej tyre të cilat kanë hyrë në fuqi, që i bie as 10 për qind të asaj që është planifikuar deri në fund të vitit. Kur kësaj i shtohet fakti se deputetët fatkeqësisht më shumë i kanë kushtuar rëndësi pjesëmarrjes nëpër fushata parazgjedhore për të mbështetur kandidatët e partive të tyre me theks të veçantë është parë kjo nga partia në pushtet dhe sigurisht që kjo e cenon edhe integritetin e Kuvendit. Po ashtu e cenon edhe integritetin e deputetëve të cilët edhe përkundër faktit që janë zgjedhur për të përmbushur obligimet ndaj qytetarëve të Kosovës, të njëjtin kanë zgjedhur që të bëjnë fushata për kandidatët  e partive të tyre duke lënë anash obligimet që kanë ndaj Kuvendit ndaj miratimit të politikave dhe ligjeve. Nëse Kuvendi i Kosovës deri në fund të vitit nuk do arrij të përmbush as 30 për qind të agjendës legjislative mund të themi se ka qenë një ndër vitet e dështuara sikurse kanë qenë edhe vitet e kaluara kur Kuvendi nuk ka qenë në gjendje të përmbush obligimet ose së paku agjendën legjislative që ka përcaktuar qeveria”, ka thënë ai.

Duke arsyetuar punën e opozitës në Kuvend, deputeti i PDK-së, Hajdar Beqa, ka thënë se përgjegjësia kryesore për numrin e ulët të ligjeve të miratuara i takon Lëvizjes Vetëvendosje, e cila ka shumicën në Kuvend .

“Është e pamundur të realizohen objektivat e qeverisë, mendoj se nuk do të përmbushet agjenda (legjislative) nëse e marrim dy leximet, me kohën që kanë mbetur duke marr parasysh që hyjmë në muajin dhjetor në kohë festash. Mendoj që Kuvendi i Kosovës do i kaloj rreth 30 për qind ligjet që realisht nga strategjia e Qeverisë. Mendoj që është neglizhencë e Qeverisë edhe neglizhencë e mazhorancës e cila duhet me qenë më vigjilente në këtë drejtim, opozita ka dhënë kontributin e vetë shumë nga ligjet që kanë kaluar ku ka qenë marrëveshje ndërkombëtar dhe janë dashur 2/3 e votave që janë votuar”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Adnan Rrustemi, e ka pranuar se zgjedhjet lokale kanë ndikuar efikasitetin e punës së Kuvendit, por ka thënë se në ditët në vazhdim do të ketë dinamik të shtuar të trajtimit dhe miratimit të projektligjeve.

Ai ka thënë se edhe pamundësia për të thirrur seanca plenare në katër javët e fundit ka qenë për shkak të sabotimit të Listës Serbe në Kryesinë e Kuvendit të Kosovës.

“Mos mbajtja e seancave ose dështimi për të thirrur seancat në dy javët e fundit ndërlidhet kryesisht me faktin se kryesia e Kuvendit nuk ka pasur kuorum për të miratuar apo për të përgatitur rendin e ditës për seancë apo për të marr vendimin për të thirrur seancën, unë mendoj se kjo është eliminuar nga zgjedhja e nënkryetarit të Kuvendit nga radhët e grupit parlamentar të PDK-së sepse siç e dimë Lista Serbe e kishte sabotuar do të thosha ose bllokuar mbledhjen e kryesisë, por për sa i përket mazhorancës kuorumit nuk ka pasur asnjëherë ndërprerje të seancës ose mos mbajtje të seancës për shkak të mungesës së kuorumit”, ka thënë Rrustemi.

Pas më shumë se një muaji, Kuvendi gjatë kësaj jave mbajti seancë plenare, për gjatë dy ditëve janë miratuar një sërë projektligjesh në lexim të parë. E njëjta seancë pritet te vazhdojë edhe gjatë të hënës së javës së ardhshme.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural të Shqipërisë, Frida Krifca…