Kuvendi i Kosovës për nëntë muaj shpenzoi mbi 5.6 milionë euro për paga dhe mëditje
Me vota unanime, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere ka miratuar Raportin e shpenzimeve të Kuvendit të Kosovës për nëntëmujorin e vitit 2021.
Raportin e ka prezantuar sekretari i Kuvendit, Ismet Krasniqi, i cili ka thënë a se shpenzimet për këtë periudhë krahasuar me ato më të 2020-së janë më të larta.
“Paga dhe mëditje 5 milionë e 605 mijë e 549 euro ose 99.98 për qind e buxhetit nëntëmujor ose 67.62 për qind e buxhetit vjetor. Mallra dhe shërbime 501 mijë e 191 euro ose 37.28 për qind e buxhetit nëntëmujor ose 21.38 për qind e buxhetit vjetor. Shpenzime komunale 130 mijë 036 euro për qind ose 78.93 për qind e buxhetit nëntëmujor ose 63.43 për qind e buxhetit vjetor. Subvencione dhe transfere 8 mijë e 800 euro ose 9.16 për qind e buxhetit nëntëmujor ose 6.29 për qind e buxhetit vjetor. Shpenzime kapitale 276 mijë e 134 euro ose 21.53 për qind e buxhetit nëntëmujor”, ka thënë Krasniqi.
Komisioni ka miratuar edhe Raportin me amendamente i Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, për Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.
Ndërsa Komisioni nuk ka miratuar Raportin vjetor financiar i Autoritetit të Aviacionit Civil dhe as të KOSTT-it për vitin 2020. /Ksp/