Kuvendi i Maqedonisë miratoi amnistinë për dhunën e 27 prillit
Kuvendi i Maqedonisë me 95 vota për, ka miratuar Ligjin për amnistinë e personave të akuzuar për dhunën në Kuvend, më 27 prill 2017.
Për këtë ligj kanë votuar edhe deputetët e VMRO-DPMNE-së opozitare, edhe pse paraprakisht shumica parlamentare hodhi poshtë një amendament të saj për amnisti të përgjithshme.
Ligji i miratuar, apo siç njihet ndryshe Ligji për pajtim dhe integrim, parasheh faljen e të gjithë personave që nuk janë përfshirë direkt të dhunën në Kuvendin e Maqedonisë, por jo edhe organizatorët dhe ata që morën pjesë në aktet e dhunës.
Nga ky ligj pritet të përfitojnë afër 30 persona, por ata kanë afat që brenda 5 ditëve të deklarohen nëse pranojnë të falen apo do të ndjekin rrugën gjyqësore për të dëshmuar ose jo fajësinë.
Siç bëhet e ditur, nga amnistia përjashtohet ish-drejtori i drejtorisë së sigurimit publik, Mitko Çavkov dhe ish-drejtori i drejtorisë së sigurisë dhe kundërzbulimit, Vlladimir Atanasovski.
Ligji për amnisti është kundërshtuar nga Zijadin Sela nga Aleanca për Shqiptarët, i cili kishte pësuar më së shumti gjatë dhunës së ushtruar në Kuvend nga një grup protestuesish, anëtarë dhe simpatizantë të VMRO-së.
Me këtë ligj pritet të përfitojnë edhe gjashtë deputetë të VMRO-DPMNE-së, që kishin ndihmuar, nxitur dhe orientuar protestuesit në pushtimin e Kuvendin dhe ushtrimin e dhunës.