Kuvendi i Maqedonisë shpërndahet më 11 shkurt 2020
Kuvendi i Maqedonisë së Veriut do të shpërndahet më 11 shkurt të vitit 2020. Kështu ka bërë me dije të mërkurën kryeparlamentari Talat Xhaferi në një takim me gazetarë.
Ai ka thënë se do të respektohen të gjitha afatet për procesin e zgjedhjeve të shpallura parlamentare.
Zgjedhjet e parakohshme të 11 prillit kanë dalë si kompromis nga takimi i liderëve të zhvilluar javë më parë në kabinetin e presidentit maqedonas, Stevo Pendarovski.
Megjithatë, ende është duke vazhduar debati se a do të ketë ndryshime në Kodin zgjedhor lidhur me propozimin për lista të hapura dhe ndryshim të zonave zgjedhore.
Një nga çështjet e hapura për institucionin legjislativ do të jetë edhe ratifikimi i Protokollit për anëtarësim e Maqedonisë së Veriut në NATO, dhe se nuk dihet se a do të ndodhë kjo nga përbërja aktuale e Kuvendit, pasi gjithçka do të varet nga ratifikimi i fundit që duhet ta bëjë Spanja, pas zgjedhjeve që do të zhvillojë në fund të vitit./INA/