
Kuvendi i Rahovecit mbështet kërkesën që lulëkuqja të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë
Kuvendi Komunal i Rahovecit mbështet kërkesën që lulëkuqja të jetë simbol i gjenocidit në Kosovë. Lajmin e ka bërë me dije kryetari i kësaj komune Smajl Latifi.
“Siç është bërë publike, Qendra ‘Gjenocidi në Kosovë- Plagë e hapur’ u është drejtuar institucioneve shtetërore të Kosovës me kërkesë që Lulëkuqja me katër petale të bëhet simbol unik përkujtimor i gjenocidit në Kosovë. Duke e analizuar arsyetimin që e shoqëron këtë kërkesë, Komuna e Rahovecit konsideron se katër petalet e lulëkuqes që pasqyrojnë katër format e akteve gjenocidare dhe figurat e burrave, grave, djemve dhe vajzave, në zemër të lulëkuqes, për të kujtuar njerëzit e të gjitha moshave dhe gjinive, që ishin viktima të këtij gjenocidi, simbolizon në mënyrë të denjë tragjedinë kombëtare që kemi përjetuar gjatë luftës së fundit”.
“Prandaj, sot, Këshilltarët e Kuvendit Komunal të Rahovecit e përkrahën propozim-vendimin tim dhe përmbajtjen e kësaj logoje, si logo gjithëpërfshirëse e gjenocidit në Kosovë dhe e miratuan pa asnjë votë kundër, që të dalim sa më parë me këtë simbol si simbol të vetëm përkujtimor për gjenocidin në Kosovë”, ka shkruar Latifi në “Facebook”.