Kuvendi i Shqipërisë miraton buxhetin për vitin 2021
Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar të hënën buxhetin e vitit 2021. Në favor të këtij buxheti kanë votuar 84 deputetë dhe një ka abstenuar.
Ligji kryesor financiar në vend, është parashikuar në dy drejtime, përballimin e pandemisë dhe rindërtimin nga tërmeti.
Nëpërmjet këtij ligji, buxheti i Ministrisë së Shëndetësisë është rritur me 2.2 miliardë lekë, duke shkuar në total në rreth 70 miliardë lekë.
Pjesa më e madhe e këtij fondi do të shkojë për rimbursimin e ilaçeve që përdoren për pandeminë.
Një zë të veçantë në financat e vitit 2021 do të zënë edhe naftëtarët e Ballshit.
Pas arritjes së marrëveshjes me qeverisë, në buxhet është parashikuar që të alokohen 560 milionë lekë, i cili do të shërbejë si fond page prej 40 mijë lekësh për naftëtarët për një periudhë 12 mujore.
Pritshmëritë e qeverisë për vitin 2021 është që të ardhurat buxhetore të shkojnë në 483 miliardë lekë, shumë e cila duket goxha ambicioze duke përllogaritur efektet negative që mund të shkaktojë në ekonomisë pandemia e Covid-19.
Edhe sektori i bujqësisë parashikohet të ketë një mbështetje më të madhe financiare.
Rritja e buxhetit për këtë sektor pritet të jetë në 950 milionë lekë, e cila do të shkojë për skemën e rimbursimit të karburantit për fermerët, ndërsa një fond prej 200 milionë lekësh do të shkojë për investime në diga për përballimin e përmbytjeve.
Financat e vitit të ardhshëm parashikojnë edhe rritjen e pagave për mjekët me 40 për qind si edhe për arsimtarët me 15 për qind, rritje e cila fillon nga 1 janari 2021. /Euronews.al/