Kuvendi i Shqipërisë miraton buxhetin për vitin 2024, mbyllet seanca mes tymueseve dhe shpërthimeve
Buxheti për vitin 2024 i Shqipërisë është miratuar në një seancë të pazakontë plenare me 74 vota pro, 4 kundër dhe asnjë abstenim.
Deputetët e opozitës grumbulluan karriget rreth foltores, mes përplasjes me Gardën, ndezën sërish tymuese me ngjyra, ndërsa u dëgjuan edhe shpërthime në sallë.
Mes përplasjes së tavolinave dhe thirrjeve “Turp, turp”, kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla ka miratuar nen për nen “Buxhetin 2024”.
“Fatkeqësisht opozita vazhdon në rrugën e paligjshmërisë, por fati i një njeriu nuk mund të jetë fati i shqiptarëve, shqiptarët duan votimin e buxhetit për investime, për rritjen e pagave, për shërbime më cilësore, nuk mund ta merrni peng kuvendin”, ka thënë Nikolla.
Deputeti demokrat, Asllan Dogjani u përjashtua nga seanca, pas ndezjes së tymueses.
Garda e Republikës ishte vendosur në gatishmëri për të siguruar mbajtjen e rregullit gjatë seancës së sotme në Kuvend.
Opozita pati paralajmëruar kaos dhe bllokim të punës në Kuvend, pas përjashtimit me 10 ditë të 6 deputetëve; Sali Berisha, Flamur Noka, Edi Paloka, Albana Vokshi dhe Elda Hoti, si protagonistët e tensioneve herën e shkuar për të sabotuar me flakadanë e flakë punën e Kuvendit.
Kujtojmë se ky është i njëjti skenar i përsëritur në seancat e fundit plenare në Kuvend,ndërsa në seancën e së hënës u tenua t’u vihej flaka karrigeve të grumbulluara në foltore.