Kuvendi i Shqipërisë nis të hënën sesionin e ri
Pas një pushimi 45 ditor, deputetët e Kuvendit të Shqipërisë nisin pasditen e së hënës sesionin e ri parlamentar.
Plot 37 nisma, nga të cilat 11 dekrete të presidentit për kthime ligjesh, projekt-vendime si dhe reforma zgjedhore presin votën e ligjvënësve për t’u miratuar në Kuvend.
Presidenti Ilir Meta për rishqyrtim në Kuvend në muajt korrik e gusht një sërë ligjesh të miratuara nga mazhoranca, mes të cilave atë për Kadastrën, Noterinë, Akademinë e Shkencave, si dhe një sërë projektesh për ndërtim e mirëmbajtje rrugësh.
Por kryefjalë e këtij sesioni do të vijojë të mbetet çështja e presidentit Ilir Meta. Mazhoranca përmes një komisioni hetimor kërkoi shkarkimin e kreut të shtetit, pas dekretit që Presidenti nxori për shtyrjen e zgjedhjeve lokale të 30 Qershorit.
Shumica parlamentare edhe pse iu drejtua për opinion Komisionit të Venecias, i qëndron argumentit se kreu i shtetit ka shkelur Kushtetutën duke anuluar mbajtjen e vendoreve në 30 Qershor.
Duket se përplasja mes presidentit e mazhorancës do të përshkallëzohet muajt në vijim, teksa kreu i shtetit jo pak herë ka apeluar për respektim të dekretit të tij dhe mbajtjen e zgjedhjeve lokale në 13 Tetor.
Kësaj përplasje i shtohet edhe ajo e opozitës, e cila që prej muajt Shkurt ndodhet jashtë institucioneve, duke djegur mandatet e deputetëve e bojkotuar vendoret e mbajtura në 30 Qershor.
Lulzim Basha ka paralajmëruar përshkallëzim të aksionit opozitar dhe nisjen e protestave, duke mos u tërhequr nga kushtet e tij të panegociueshme, mbajtjen e zgjedhjeve lokale dhe atyre parlamentare në të njëjtën kohë dhe krijimin e një qeverie tranzitore pa kryeministër Edi Ramën./tv klan.al/