Kuvendi i Shqipërisë ratifikon marrëveshjen me Italinë për emigrantët
Kuvendi i Shqipërisë me 77 vota për ka ratifikuar marrëveshjen për emigrantët të nënshkruar me Italinë më 6 nëntor të vitit 2023.
Sipas Marrëveshjes për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit, Italia do t’i dërgojë në Shqipëri emigrantët që i kap dhe i shpëton në Detin Mesdhe, duke filluar nga pranvera e këtij viti. Kjo marrëveshje është miratuara edhe në Itali nga Dhoma e Ulët e Parlamentit dhe nga Senati.
Veç deputetëve të Partisë Socialiste në pushtet, votën pro kësaj marrëveshjeje e dhanë edhe tre deputetët e Partisë në opozitë për Drejtësi Integrim dhe Unitet (PDIU), raporton Rel.
Deputetja e PDIU-së, Mesila Doda, tha se të gjithë duhet të kishim votuar për marrëveshjen, pasi Italia është një vend mik, që sipas saj, ka ndihmuar gjithnjë Shqipërinë në momente krizash.
Ndërkaq, deputetët që i përkasin Partisë Demokratike zyrtare e bojkotuan seancën parlamentare, për shkak të kundërshtive për Projektligjin e paraqitur në Kuvend për amnistinë penale.
Në votim për marrëveshjen nuk morën pjesë as deputetët e “Rithemelimit”, edhe pse ishin të pranishëm në sallë.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, nuk ishte pjesë e punimeve të Kuvendit, ndërsa në rrjetin social X, që më herët njihej si “Twitter”, ai shkroi se Shqipëria veproi si një vend anëtar i Bashkimit Evropian.
“Asnjë vend nuk mund ta zgjidhë një sfidë të tillë i vetëm, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyra e të menduarit të kaluar nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po vjen në të gjitha frontet”, tha Rama.
Marrëveshja parasheh që Shqipëria të strehojë deri në 36.000 emigrantë për një vit, në dy qendra brenda shtetit, përderisa Italia të shqyrtojë kërkesat e tyre për azil.
Partitë opozitare, si në Shqipëri edhe në Itali, e kanë kundërshtuar marrëveshjen.
Në Shqipëri, opozita e dërgoi në Gjykatë Kushtetuese marrëveshjen me pretendimin se binte ndesh me Kushtetutën. Gjykata e rrëzoi kërkesën e opozitës, duke i hapur rrugë kështu ratifikimit të marrëveshjes në Kuvend.
Ndërsa në Itali, opozita e konsideroi marrëveshjen një propagandë të shtrenjtë të Qeverisë para zgjedhjeve evropiane që do të mbahen më vonë gjatë vitit, dhe një përpjekje të turpshme për ta shndërruar Shqipërinë në një “Guantanamo” të Italisë.