Kuvendi jep detaje nga takimi Konjufca-Gashi

25 nëntor 2024 | 15:38

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci, shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, ambasadori Florian Qehaja dhe këshilltarët, ka pritur  të hënën në takim kryetarin e Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi.

Në pritjen që i ka bërë homologut të tij Gashi, kryeparlamentari Konjufca ka shprehur bindjen se takimet dhe angazhimi i përbashkët i shërbejnë rritjes së bashkëpunimit të shkëlqyer midis Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, duke i konsideruar ato si përpjekje për më të mirën e qytetarëve tanë.

Në këtë takim, kryetari Konjufca dhe kryetari Gashi kanë diskutuar aspekte të ndryshme të parlamentarizmit dhe folën për mundësitë e rritjes së bashkëpunimit midis institucioneve tona legjislative. Gjithashtu, ata kanë biseduar edhe për çështje të tjera të interesit të përbashkët, duke përfshirë rrugën e integrimeve evropiane, zhvillimin ekonomik, tregtar dhe stabilitetin e rajonit tonë.

“Kryetari Konjufca shtoi se bashkëkombasit tanë, vlerat dhe synimet e përbashkëta janë ato që qëndrojnë midis raporteve tona të shkëlqyera shtetërore si garanci e këtij bashkëpunimi të shkëlqyer dhe thellimit të tij. Kryetari i Kuvendit të Republikës së Maqedonisë së Veriut, z. Afrim Gashi e falënderoi kryekuvendarin Konjufca për pritjen dhe shprehu gatishmërinë e plotë për të avancuar sa më shumë me projekte dhe punë të përbashkëta, të cilat çojnë në drejtim të përmbushjes së synimeve dhe interesave të vendeve tona”, ka njoftuar Kuvendi i Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, ka…