Kuvendi ka degraduar
Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Ali Lajçi, ka thënë të mërkurën se vendi po përballet me qeverisje të dobët, e cila po përcillet me skandale dhe me vendime të dëmshme.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka deklaruar se edhe Kuvendi ka degraduar dhe më nuk e ka kuptimin e vet. Sipas Lajçit, në këtë mjedis as roli i opozitës nuk është në nivel.
“Kemi funksionim të dobët të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi ka degraduar dhe më nuk e ka kuptimin e vet. Për çdo ditë po shihet se ka mungesë të kuorumit, nuk ka udhëheqje dhe menaxhim të mirë. Jo që po e rrezikon, por nuk ka shanse që Kuvendi ta përmbushë agjendën legjislative sepse është një menaxhim i keq prej kreut e deri në fund. As roli i opozitës nuk është në nivel”, është shprehur ai.
Lajçi ka thënë se Qeveria ka humbur legjitimitetin, prandaj duhet rrëzuar sa më shpejt. Megjithatë, ai ka theksuar se aktualisht opozita është e pafuqishme në këtë drejtim për faktin se asnjë parti politik nuk është e gatshme për zgjedhje të parakohshme.
“Në këtë aspekt dëm të madh ka bërë ndarja e këtyre deputetëve prej Vetëvendosjes. Ata nuk janë në pozitë të favorshme për zgjedhje për shkak se nuk janë konsoliduar. Përndryshe, rrëzimi i Qeverisë është i domosdoshëm. Prandaj kjo opozitë duhet të provojë dhe ta japë frytin e vet. Po të shikohet realisht asnjë parti nuk është e gatshme për zgjedhje. Por, vazhdimi i kësaj gjendje është e pamundshme”, ka theksuar Lajçi.
Ai ka deklaruar se Lëvizja Vetëvendosje me mbajtjen e tryezës së radhës synon ta definojë seriozitetin për rënien e Qeverisë ose ndërprerjen e këtyre tryezave.
“Epoka e re”: Z. Lajçi, si e komentoni punën e Kuvendit të Kosovës gjatë kësaj legjislature?
Lajçi: Kemi një qeverisje të dobët e cila po përcillet me skandale dhe me vendime të dëmshme për Kosovën. Qeveria ka humbur legjitimitetin dhe është duke vazhduar dita-ditës, prandaj duhet rrëzuar sa më shpejt. Edhe Kuvendi e ka humbur rolin e tij sepse ka degraduar. Ky koalicion qeverisës i ka të gjitha të zezat të cilat i kanë sjellë imazh të keq Kosovës. Është mëkat se çfarë ka ndodhur në Kosovë në shërbimet publike, në arsim, në shëndetësi, në drejtësi dhe kudo tjetër. Nuk kemi një shtet ligjor, sepse kjo strukturë politike ka dashur arbitraritet çdo kund në institucione për shkak se ky arbitrarizëm nuk do t’i pengonte në vjedhje dhe në korrupsion. Koha është për ndryshime të mëdha si dhe për të shkuar drejt një shteti ligjor, i cili do të krijonte zhvillim ekonomik dhe investime. Është e mundur që kjo gjendje të ndryshohet me një lloj vetëdijesimi dhe mendësi tjetër të popullit të Kosovës që kur të votojnë, ta kenë mendjen për t’i bërë ndryshimet që i duhen Kosovës.
“Epoka e re”: Cili do të jetë funksionimi i mëtutjeshëm i Kuvendit kur kemi parasysh se në vazhdimësi ka mungesë të kuorumit, shtyrje të seancave dhe mosmiratim të ligjeve?
Lajçi: Kemi funksionim të dobët të Kuvendit të Kosovës. Kuvendi ka degraduar dhe më nuk e ka kuptimin e vet. Për çdo ditë po shihet se ka mungesë të kuorumit, nuk ka udhëheqje dhe menaxhim të mirë.
“Epoka e re”: Kuvendi po rrezikon përmbushjen e agjendës legjislative?
Lajçi: Jo që po e rrezikon, por nuk ka shanse që Kuvendi ta përmbushë agjendën legjislative sepse është një menaxhim i keq prej kreut e deri në fund.
“Epoka e re”: Në gjithë këtë situatë, si e shihni rolin e opozitës?
Lajçi: As roli i opozitës nuk është në nivel. Ka gatishmëri për të bërë ndryshime, njëkohësisht kërkohet koordinim i mëtutjeshëm. Nuk ka edhe aq seriozitet, por opozita duhet të forcohet gjithnjë e më shumë në mënyrë që ta luajë rolin e vet.
“Epoka e re”: Përderisa në të kaluarën Kuvendi nuk ka funksionuar, askush nuk ka mundur t’i bëjë bashkë të gjitha partitë në një tryezë, ndërsa tani kur Kuvendi është funksional partitë politike kanë filluar mbajtjen e tryezave politike. Cili është qëndrimi juaj për këto tryeza?
Lajçi: Kjo duhet të përfundojë me një përpjekje për krijimin e kushteve, respektivisht të votave për mocion. Nëse janë votat atëherë nuk duhet dhënë afat Qeverisë, por nëse nuk janë votat dhe vetëm po bëhen driblime e fizkultura përmes tryezave, mbajtja e tyre nuk paraqet asgjë, përveç zgjatjes së Qeverisë.
“Epoka e re”: Lëvizja Vetëvendosje të premten do ta mbajë tryezën e radhës e cila ka për qëllim arritjen e një konsensusi për shkuarje në zgjedhje të parakohshme. Është i realizueshëm ky qëllim
Lajçi: Duhet të definohen gjërat nëse ka vullnet. Nëse jo, duhet të pushohet me këto tryeza, sepse nuk sjellin asgjë. Lëvizja Vetëvendosje dëshiron ta definojë çështjen ose jemi seriozë në rënien e kësaj qeverie ose të ndërpriten këto tryeza. Nëse tryezat nuk kanë efekt duhet të ndërpriten. Deri më tani tryezat nuk kanë dhënë ndonjë gjë, por kjo iniciativë është nisur dhe duhet të përfundojë. Është një përpjekje boshe dhe një fizkulturë e cila më shumë e zgjatë jetën e këtij pushteti.
“Epoka e re”: Ka fuqi opozita për ta rrëzuar këtë Qeveri?
Lajçi: Në këtë aspekt dëm të madh ka bërë ndarja e këtyre deputetëve prej Vetëvendosjes. Ata nuk janë në pozitë të favorshme për zgjedhje për shkak se nuk janë konsoliduar. Përndryshe, rrëzimi i Qeverisë është i domosdoshëm. Prandaj, kjo opozitë duhet të provojë dhe ta japë frytin e vet.
“Epoka e re”: Në fakt, sa i konvenon Lëvizjes Vetëvendosje shkuarja në zgjedhje pas asaj ndarje të madhe?
Lajçi: Po të shikohet realisht, asnjë parti nuk është e gatshme për zgjedhje. Por, vazhdimi i kësaj gjendje është e pamundshme. Sipas mendimit tim, duhet të bëhet një reformë e Ligjit për Zgjedhje, sepse vetëm atëherë do të mund të kishim zgjedhje të efektshme. Ky proces u zvarrit nga PDK-ja dhe LDK-ja, meqë ishte interes i tyre të mos ndodhte kjo reformë. Mirëpo, reforma zgjedhore duhet të ndodhë sa më shpejt që është e mundur dhe të shkohet në zgjedhje.
“Epoka e re”: Keni parasysh se shkuarja në zgjedhje gjatë kësaj periudhe mund ta dëmtojë Kosovën në procesin e liberalizimit të vizave dhe të agjendës evropiane në përgjithësi?
Lajçi: Me liberalizimin e vizave është bërë një driblim i keq. Pa shtet ligjor dhe pa luftim të krimit e korrupsionit nuk hiqen vizat. Madje u kushtëzua edhe territori me liberalizimin e vizave, me ç’rast territori u humb, por viza nuk do të ketë për shkak se ka edhe kushte të tjera. Prandaj, ishte një lojë shumë e ulët politike e këtyre pushtetarëve.
“Epoka e re”: Z. Lajçi, si e shihni fazën finale të dialogut Kosovë – Serbi?
Lajçi: Ky dialog nuk prodhon rezultat. Ka qenë një driblim për t’i dhënë shans Serbisë që të përfitojë. Vazhdimi i dialogut mund të bëhet vetëm nëse Serbia e njeh pavarësinë e Kosovës dhe kemi një formulë juridike. Çdo dialog pa njohjen e pavarësisë shkon në dobi të Serbisë, prandaj fundi i këtij procesi do të duhej të ishte njohja e pavarësisë. Pa njohjen e pavarësisë çdo dialog është i kotë sepse Serbia çdo çështje e politizon.
“Epoka e re”: Pse vazhdimisht shprehni kundër këtij dialogu dhe arritjes së një konsensusi për këtë proces, madje në çdo mënyrë kundërshtoni që presidenti ta udhëheqë këtë dialog.
Lajçi: Presidenti ka sjellë vetëm trende negative në këtë proces. Për procesin e dialogut duhet të ketë një platformë të qartë konsensuale, e cila do të duhej të miratohej nga Kuvendi. Në këtë platformë do të duhej bërë e qartë se nuk ka vazhdim të dialogut me Serbinë pa njohjen e pavarësisë së Kosovës. Dialogu i deritashëm ka qenë i dëmshëm për Kosovën. Po ashtu, duhet kundërshtuar me të gjitha mjetet politike dhe juridike krijimi i asociacionit në baza etnike, sepse qëllimi i tij është ndarja e Kosovës. Krijimi i komunave etnike është i dëmshëm, prandaj ne e patëm refuzuar decentralizimin në baza etnike, por ky proces u bartë pastaj në Partesh. Si produkt i këtij procesi ka ardhur krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Themelimi i këtij asociacioni nuk duhet lejuar.