Kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut kërkon hapjen e urës mbi Ibër, reagojnë Vuçiqi dhe Lista Serbe
Asamblistët e Komunës së Mitrovicës së Veriut, me propozimin e Aida Ferati-Dolit, kanë miratuar kërkesën për hapjen për qarkullim të urës kryesore mbi lumin Ibër.
Nga Qeveria e Kosovës nuk janë prononcuar për këtë vendim të autoriteteve lokale të Mitrovicës së Veriut.
Mitrovica e Veriut është një nga katër komunat në veri të Kosovës, që banohen me shumicë serbe.
Gjashtëmbëdhjetë asamblistët e kësaj komune janë zëvendësuar dhjetorin e vitit të kaluar, pasi asamblistët paraprakë kanë dhënë dorëheqje, si pjesë e largimit kolektiv të serbëve nga institucionet e Kosovës në veri, në shenjë proteste me vendimin e Prishtinës për riregjistrimin e makinave me targa serbe në ato të Kosovës.
Në mbledhjen e Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut ishte vetëm një asamblist serb, Dushan Millunoviq, i cili ka votuar kundër kërkesës për hapjen për qarkullim të urës mbi Ibër.
Pas luftës së fundit në Kosovë, ura mbi lumin Ibër e ka ndarë Mitrovicën në dy pjesë, në atë jugore me shumicë shqiptare, dhe në pjesë veriore, të banuar me shumicë serbe. Sot, ato janë dy komuna të veçanta.
Ura mbi lumin Ibër apo “rivitalizimi i urës” ka qenë temë e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian. Palët kishin rënë dakord që ura të ishte e hapur për qarkullim. Por, në praktikë kjo nuk ndodhi kurrë dhe vetëm njëra anë u hap për këmbësorët.
Ndërsa Lista Serbe, partia kryesore e serbëve në Kosovë e ka kundërshtuar vendimin e asamblistëve të Mitrovicës së Veriut, duke e cilësuar si “si të paligjshëm”.
Sipas kësaj partie, ky vendim “shkel marrëveshjet e Brukselit dhe kërcënon drejtpërdrejt paqen”. “Duam të paralajmërojmë se hapja eventuale e urës padyshim që do të rezultojë me incidente në këtë zonë, gjë që duket se është edhe qëllimi i Prishtinës. Ura, ku kanë ndodhur më shumë se 1.000 sulme me motive etnike nga jugu në veri, është simbol i vuajtjes së popullit serb dhe synimi i Prishtinës është që dëbojë serbët e mbetur nga i vetmi mjedis urban ku ata kanë mbijetuar në një numër më të madh”, thuhet në reagimin e kësaj partie që ka mbështetjen e Beogradit.
Lista Serbe ka kërkuar nga KFOR-i, EULEX-i dhe përfaqësuesit e bashkësisë ndërkombëtare që “me urgjencë të pengojnë zbatimin e këtij vendimi”.
Ndërsa e ashtuquajtura zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, ka thënë se kryeministri i Kosovës, “Albin Kurti, sot pa dyshim ka treguar se dëshiron dhe ëndërron luftë, dhe do që i gjithë veriu i Kosovës të hyjë në konflikt”.
Duke reaguar pas vendimit për kërkesën për hapjen e urës mbi lumin Ibër, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka thënë se kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, dëshiron “të largojë serbët” nga Kosova, duke shtuar se udhëheqësi kosovar “dëshiron konflikte me çdo kusht”.
Vuçiq nuk ka dh1ënë asnjë provë për këto pretendime.
Presidenti serb ka thënë se ura mbi lumin Ibër – që ndan Mitrovicën e Jugut dhe atë të Veriut – paraqet “një digë dhe mbrojtëse të interesave të popullit tonë në veri të Kosovës dhe Metohisë”.
Serbia nuk e jeh pavarësinë e Kosovës dhe e konsideron pjesë të territorit të saj.
Vuçiqi ka thënë se me vendimin për hapjen e urës, shqiptarët “duan të marrin” edhe Mitrovicën e Veriut.
“Kjo është ideja e tyre e kamotshme, që për vite me radhë populli ynë e ka kundërshtuar”, ka thënë ai.
Vuçiqi ka thënë se Kurti do ta justifikojë këtë vendim duke thënë se “nuk do geto në Mitrovicë, por qytete të hapura” dhe se “për këtë do t’ia hedh lehtë para përfaqësuesve perëndimorë”.
Sipas presidentit serb, shteti i tij “do të bëjë gjithçka” që të ruhet paqja.
“Por, ne po ashtu po ju themi atyre para takimit në Bruksel më 2 maj dhe do të vazhdojmë edhe pas kësaj: as mos ëndërroni se do të keni sukses në qëllimet tuaja për të dëbuar apo shkatërruar serbët në çdo pjesë të Kosovës dhe Metohisë, sepse në atë rast ne do të dimë se çfarë duhet të bëjmë”, ka thënë ai.
Në Bruksel, Kurti dhe Vuçiq do të takohen më 2 maj në kuadër të dialogut që ndërmjetësohet nga blloku evropian. Zyrtarët evropianë kanë konfirmuar se në këtë takim pritet të miratohet Deklarata për të pagjeturit dhe do të paraqitet drafti i parë i statutit për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.