Kuvendi Komunal voton aktin e themelimit të ‘Muzeve të Prizrenit’
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Mytaher Haskuka, e ka quajtur lajm të mirë votimin e aktit për themelimin e “Muzeve të Prizrenit” nga ana e asamblistëve të Kuvendit Komunal të kësaj komune.
Haskuka ka thënë se Prizreni ka plotë rrëfime për të treguar nëpërmjet muzeve.
“Prizreni njihet si ‘qytet muze i hapur’, duke kaluar nga rrugët e saj përplot monumente, vizitorët mund të mësojnë për ndikimet e ndryshme kulturore përgjatë historisë. Fatkeqësisht nga katër muze të proklamuara në qytet, vetëm ajo e Lidhjes është duke funksionuar si Muze. Të tjerat, shumicën e kohës janë të mbyllura për vizitorë apo nuk janë të strukturuara për të plotësuar kriteret elementare për të funksionuar si muze. Lajm i mirë është se asambleja komunale ka votuar unanimisht aktin e themelimit të ‘Muzeve të Prizrenit’, organi i cili do t’i strukturojë me përmbajtje Muzetë ekzistuese që janë nën ingerencat e Komunës sonë, si dhe do të themelojë disa Muze të reja. Prizreni ka plot rrëfime për të treguar, ndërsa për qytetarët dhe vizitorët Muzetë janë adresa më e saktë për gjetjen e tyre”, ka thënë Hsakuka, duke shtuar se themelimi i muzeve do të ketë ndikim direkt në mirëqenien e qytetarëve duke rritur numrin e vizitorëve në Prizren.
/Epoka e re/