Kuvendi miratoi rezolutën për Srebrenicën, por murali që nderon “Kasapin e Bosnjës” ndodhet brenda Kosovës
Me 89 vota për asnjë kundër e asnjë abstenim, Kuvendi i Kosovës ka miratuar rezolutë që e dënon gjenocidin në Srebrenicë.
Qysh para nisjes së deklarimeve në këtë pikë deputetët e Listës Serbe kanë lëshuar sallën e mbledhjeve plenare.
Pasdite Lista Serbe që e ka kryetar, Goran Rakiq doli me deklaratë të ashpër duke e quajtuar dokumentin e Kuvendit si sulm ndaj popullit serb dhe veprim që kërcënon sipas tyre marrëdhëniet ndëretnike “asnjë fjalë për vuajtjet e serbëve në Bosnjë, Kroaci ose Kosovë nuk u tha sot”.
Nismëtarja e Rezolutës deputetja nga komuniteti boshnjak Duda Balje, ka thënë se është për keqardhje që kolegët serbë vepruan kështu, njofton Klan Kosova.
“Kjo është mosfuqia e tyre që ta shohin të vërtetën në sy.Në fund të fundit, ky është qëndrim i Serbisë dhe Lista Serbe kurrë nuk do ta merrnin pëlqimin që të qëndrojnë në sallë, madje edhe për të votuar kundër”, tha Balje per Klan Kosova.
Ndërkohë në qendër të Zveçanit është një mural që i kushtohet gjeneralit serb Ratko Mladiq, të cilit para një muaji shkalla e dytë e Trubunalit të Hagës i ri konfirmoi dënimin me burgim të përjetshëm për krimet që i bëri në Bosnjë, posaçërisht për kryerjen e gjenocidit në Srebrenicë.