Kuvendi miraton ligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë
14 gusht 2020
| 17:31
Kuvendi i Republikës së Kosovës e ka miratuar në lexim të dytë Projektligjin për parandalimin dhe luftimin e pandemisë Covid-19 në territorin e Republikës së Kosovës.
Në favor të këtij projektligji kanë votuar 77 deputetë dhe shtatë kanë abstenuar.
Ky projektligj është iniciuar nga kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani, e cila ka falënderuar deputetët për votimin e këtij projektligji.
Më këtë rast, ajo ka përgëzuar veçanërisht anëtarët e Komisionit për Shëndetësi, duke bërë thirrje që të jenë të bashkuar në tema që janë në interes të qytetarëve.