Kuvendi miraton në lexim të parë Projekt-buxhetin për vitin 2025

11 nëntor 2024 | 19:53

Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projekt-buxhetin për vitin 2025, që kap vlerën e 3 miliardë e 608 milionë euro.

Në procesin e votimit morën pjesë 61 deputetë, ku 59 votuan për e dy abstenuan.

“Konstatoj se Kuvendi e miratoi në parim Projektligjin mbi Ndarjet Buxhetore për vitin 2025. Kërkohet nga komisioni funksional dhe komisionet e tjera sipas fushave përkatëse që ta shqyrtojnë dhe pastaj të na e paraqesin”, tha Kryeparlamentari Glauk Konjufca.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Armend Muja, kërkoi që projekt-buxheti të shqyrtohet në lexim të dytë në seancën e 21 nëntorit, duke filluar nga ora 10:00.

Gjatë prezantimit, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se projektbuxheti është “historik”.

Duke e krahasuar me atë të vitit 2020, ai tha se vlera e tij është rritur për 60%.

“Me këtë buxhet, përfitojnë edhe bizneset edhe ekonomia. Së pari përfitojnë nga rritja e fuqisë blerëse të familjes. Nga 12 miliardë euro sa ishte para qeverisë tonë për vitin 2024 pritet të kalojë 24 miliardë qarkullim. Ky buxhet parasheh mbështetje të buxheteve edhe për qasje në financa. Kjo mbështetje vjen si vijim i mbështetjes së realizuar gjatë viteve që lamë pas. Kontributi kryesor në rritjen ekonomike gjatë periudhës së ardhshme afatmesme pritet të vijë nga konsumi. Konsumi do të rritet nga rritja e pensioneve, rritja e shtesave të fëmijëve jo çfarëdo rritje, rritja e koeficientit për të gjithë të punësuarit, si dhe rritja e pagës minimale që ndodh pas më shumë se një dekadë stagnimi. Me këtë buxhet e kemi prioritet zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik, ju ftoj edhe ta votoni buxhetin 2025”, ka thënë ai.

Tutje, Kurti tha se buxheti i Kosovës gjatë qeverisjes së tij, është rritur vit pas viti duke mos ndryshuar asnjë politikë tatimore.

“Duke e bërë vit pas viti rritje edhe buxheti pa ndryshuar asnjë politikë tatimore. Sepse, investimi në qytetarët tanë vazhdonte të kthente rritje të qëndrueshme”, deklaroi Kurti.

Projektbuxhetin në vlerë prej 3.6 miliardë eurosh, Qeveria e Kosovës e miratoi më 30 tetor.

Vlera e tij është për 9 për qind më e lartë se e buxhetit të vitit 2024 prej 3.3 miliardë eurosh.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Partia Demokratike e Kosovës, dega në Zvicër të cilën e…