Kuvendi miraton rekomandimet e Vetëvendosjes
Me 40 vota për, 10 kundër dhe 13 abstenime, deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar rekomandimet e paraqitura nga Lëvizja Vetëvendosje rreth dënimit të aktivistëve të saj.
Vetëvendosje përmes rekomandimeve të paraqitura në seancën e djeshme e cila ka vazhduar edhe sot ka kërkuar që të gjenden aktorët e vërtetë të sulmit me armë zjarri në natën e datës 4 gusht 2016.
Kjo lëvizje ka kërkuar po ashtu që të zbulohet se kush e ka vrarë Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017.
“Kush është organizatori dhe zbatuesi i projektit të inskenuar për burgosjen e aktivistëve të kësaj partie për këtë sulm. Kush janë ideatorët e këtij inskenimi monstruoz kundër aktivistëve të Lëvizjes Vetëvendosje? Kush e vrau Astrit Deharin në Qendrën e Paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2017. Për rastin e sulmit në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës më 4 gusht 2016, të kërkohet dhe të mundësohet një hetim i plotë, i pavarur ndërkombëtar i tërë rastit nga njëri nga vendet perëndimore të BE-së. Të shkarkohen të gjithë personat nga Policia e Kosovës të involvuar në këtë rast, si dhe të shkarkohen e të suspendohen të gjithë personat që kanë qenë kompetentë dhe përgjegjës në hierarkinë shtetërore në kohën kur ka ngjarë rasti i Astrit Deharit”, thuhet në rekomandimet e miratuara nga deputetët.