Kuvendi miraton tri marrëveshje ndërkombëtare
Kuvendi i Kosovës ka miratuar në seancën e sotme tri marrëveshje ndërkombëtare.
Deputetët miratuan Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes për statusin e Forcave në mes Kosovës dhe shtetit të Kuvajtit.
Po ashtu, deputetët i dhanë dritë të gjelbër edhe ratifikimit të marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Malit të Zi në kontekstin e aderimit në Bashkimin Evropian.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar edhe marrëveshjen me Maqedoninë e Veriut për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile.
Përkrahje këtyre marrëveshjeve i dhanë deputetët nga pozita dhe opozita.
Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka folur rreth marrëveshjes me Maqedoninë e Veriut për ndihmë të ndërsjellë juridike në çështjet civile.
“Qëllimi i kësaj marrëveshjeje është forcimi i mëtejshëm i bashkëpunimit në fushën e ndihmës juridike, në fushën civile dhe tregtare mes dy vendeve dhe lehtësimi i procedurave ligjore në këtë fushë. Kjo marrëveshje zbatohet për çështjet që përfshijnë procedurat me gjendjen civile, familjare, marrëdhëniet e punës, çështjet e pronësisë dhe marrëdhëniet e tjera civile dhe tregtare të personave fizikë por edhe juridikë”, ka thënë ministrja Haxhiu.