Kuvendi nesër mban seancë, në rend dite 15 pika për shqyrtim
Nesër (e hënë), në orën 10:00, Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare. Në këtë seancë janë të paraparë 15 pika për shqyrtim.
Në mesin e këtyre pikave është votimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit të marrëveshjes ndërkombëtare me Bankën Evropiane për Investime (BEI) për financimin e Projektit për rehabilitimin e linjës hekurudhore 10, i cili dështoi të miratohet të premten që lamë pas.
Pastaj do të jetë shqyrtimi i Projektligjit për amendamentimin 02 të Marrëveshjes bilaterale ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Dukatës së Madhe të Luksemburgut për Projektin e bashkëpunimit për zhvillim “KSV/017: Programi për mbështetje shëndetësore (pjesa II). Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e Marrëveshjes së bashkëpunimit ndërmjet Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit dhe Agjencisë Austriake për Zhvillim për zbatimin e Projektit “Hulumtimi dhe shkencat e aplikuara në arsimin e lartë + (HERAS+) (ada numri referues 8116-00-2020)”.
Shqyrtimi i Projektligjit për ratifikimin e amendamentimit nr. 1 të Marrëveshjes kornizë së kredisë të datës 14 gusht 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Bankës Zhvillimore të Këshillit të Evropës për financimin e projektit “Reagimi Emergjent ndaj Covid-19”.
Shqyrtimi i Rekomandimit të Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për shkarkimin e anëtarëve të Bordit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave. Votimi i kërkesës së Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis, Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë për ndryshimin e emërtimit të këtij komisioni. Zgjedhja e tre anëtarëve të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës nga radhët e komuniteteve joshumicë.
Propozim-rezoluta nga debati parlamentar për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit. Propozimi i Grupit Parlamentar të Lidhjes Demokratike të Kosovës për zëvendësimin e anëtarit në komision parlamentar dhe shqyrtimi i raportit vjetor të Agjencisë për Ndihmë Juridike Falas për vitin 2020.