Kuvendi nis sesionin vjeshtor, opozita drejton kritika për qeverinë Kurti
Nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, Kryesia e Kuvendit të Kosovës ka mbajtur të hënën mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor, duke shënuar kështu edhe hapjen e punimeve të Kuvendit pas pushimeve.
Duke uruar për fillimin e punës në këtë sesion, kryetari Konjufca njoftoi Kryesinë lidhur me procesin e instalimit të pajisjeve të reja elektronike në sallën e mbledhjeve plenare.
Zëvendësuesi i sekretarit të përgjithshëm të Kuvendit, Arben Loshi, bëri të ditur se puna për instalimin e këtyre pajisjeve ka përfunduar më 23 gusht 2024, është bërë testimi i tyre dhe se tani salla e mbledhjeve plenare është e gatshme për përdorim.
Kryesia vendosi që seanca plenare e radhës, përkatësisht seanca e parë për këtë sesion, të mbahet të enjten, më 12 shtator, me një varg pikash, përfshirë edhe ato të bartura nga sesioni pranveror.
Në këtë mbledhje Kryesia miratoi logon e Kuvendit të Republikës së Kosovës, si dhe rekomandimin e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere për kërkesat buxhetore të Kuvendit të Kosovës për vitin 2025, në bazë të Qarkores së parë buxhetore të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfere 2025/01,
Po ashtu, konform përgjegjësive të saj kushtetuese, Kryesia shqyrtoi edhe çështje të tjera nga fushëveprimtaria e Kuvendit.
Pas kësaj mbledhje shefat e grupeve parlamentare të opozitës drejtuan akuza në drejtim të qeverisë për mospunë.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se çka nuk është arritur të bëhet në tri vite e gjysmë nuk mund të arrihet të bëhet në tre muaj e gjysmë të këtij mandati. “Prandaj, i gjithë fokusi ynë në periudhën në vazhdim do të mbetet angazhimi për t’i mundësuar vendit një qeveri të re të udhëhequr nga kryeministri i ardhshëm Bedri Hamza”, ka thënë ai, shkruan “Epoka e re”.
Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se kjo legjislaturë me ketë qeveri dhe qeverisje mund të konsiderohet si qeverisja më e dobët në historinë e Kosovës, si në aspektin e vendimmarrjes, atë të ndërtimit të konsensusit politik dhe në aspektin e përfaqësimit të institucioneve të Kosovës.
“Është karakterizuar me një tendencë të kapjes së institucioneve të Kosovës, pastaj me shkelje të vazhdueshme dhe të përsëritura të Kushtetutës nga ana e qeverisë, si dhe me tendenca të vazhdueshme për paaftësimin e vendimmarrjes së Kuvendit në aspektin e mbikëqyrjes parlamentare. Pra mund të themi se në aspektin e fushëveprimtarisë së vet, si rezultat i dominimit nga Lëvizja Vetëvendosje dhe angazhimit të qeverisë së Albin Kurtit, të gjitha shtyllat e Kuvendit të Republikës së Kosovës janë paaftësuar në funksionin e tyre”, ka thënë Gashi.
Edhe shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, ka thënë se qeverisja katërvjeçare e Kurtit ka dëmtuar vendin si në rrafshin e brendshëm ashtu edhe të jashtëm. “Sa i përket marrëveshjeve ndërkombëtare, ato kurrë nuk kanë qenë problem, por menaxhimi i brendshëm i Kosovës, duke e kthyer prapa vendin në secilën sferë të jetës dhe duke e sjellë në stadin më të ulët qeverisës, zhvillimor dhe ndërkombëtar. Në këta muaj që kanë mbetur për Kuvendin e Kosovës, AAK-ja do të mundohet t’i adresojë tri çështje të rëndësishme: Do të vazhdojmë angazhimin që të shtyjmë përpara konceptin e Ligjit të Pagave, ku vlera mesatare e pagave në këtë ligj do të jetë 1000 euro; Do të shtyjmë përpara miratimin e Ligjit për Sigurimet Shëndetësore, i cili tash e katër vjet është në sirtar të kësaj qeverie; dhe forcimin e ekonomisë së Kosovës”, ka thënë ai.
Tahiri ka thënë se Kosova kurrë nuk ka qenë më e dobët që nga shpallja e pavarësisë së saj. “Qytetarët e Kosovës ballafaqohen me problemet më të mëdha jetese. Qytetarët që e kanë të garantuar shërbimin nga shteti i Kosovës, po u mungon. Kushdo që ballafaqohet me QKUK-në, ballafaqohet me vdekjen, jo për shkak të personelit, por për shkak të kushteve dhe menaxhimit të dobët. Kushdo që ballafaqohet me mundësinë për punësim, së pari pyetet ‘a je me VV-në’. Pra, pa qenë me VV-në nuk mund të bësh asnjë hap përpara për punësim. Mundësitë e barabarta për qytetarët e këtij vendi, kjo qeveri i ka varrosur”, është shprehur Tahiri.
Ai ka shtuar se për më keq, nëse flasim për sektorin privat, Kosova është zbrazur.
“Kosova, sot, ka 1.5 milionë banorë apo 250 mijë më pak se në vitin 2011. Është kjo qeveri e cila ka ardhur në pushtet për ta kthyer shpresën, dhe është kjo qeveri e cila po e humb shpresën. Angazhimi ynë do të jetë i fuqishëm në ballafaqimin me mbrojtjen e sovranitetit të Kosovës. Politikat eksperimentuese që ndërlidhen me menaxhimin e brendshëm, e kanë sjellë Kosovën buzë armiqësisë me botën perëndimore, duke filluar nga ShBA-ja. Për katër vjet nuk kemi asnjë njohje, asnjë anëtarësim dhe për më keq, katër vjet jeta e secilit qytetar është shtrenjtuar. Do të komunikojmë me qytetarët e Kosovës për t’u treguar se vota e juaj për shpresën ishte mashtrimi më i madh në historinë e Kosovës. Kosova nuk guxon të dobësohet, por duhet të forcohet, për shkak se e kemi obligim për heronjtë dhe dëshmorët që e dhanë jetën për liri, dhe e kemi obligim për fëmijët tanë dhe të rinjtë të cilët sot po i shikojnë mundësitë për tjera vende”, ka deklaruar Tahiri.