Kuvendi i pafuqishëm përballë Qeverisë
Kontrolli i dobët që ka Kuvendi i Kosovës ndaj punës së Qeverisë, besohet se po ndikon në nivelin e ulët të zbatimit të ligjeve. Moszbatimi i ligjeve, mbetet një nga çështjet kryesore që sfidon institucionet e vendit.
Organizatat joqeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit të Kosovës, kanë vlerësuar deputetët e legjislaturës së gjashtë, sikurse dhe ata nga legjislaturat e kaluara, se nuk po arrijnë që ta monitorojnë punën e Qeverisë për zbatimin e ligjeve.
Artan Murati nga Instituti Demokratik i Kosovës, ka thënë për “Radion Evropa e Lirë” se nga monitorimet e bëra, shihet që nuk ka një seriozitet të duhur nga ana e deputetëve për të monitoruar zbatimin e ligjeve nga ana e Qeverisë.
“Është një avaz i vjetër që po vazhdon edhe në këtë legjislaturë. Pra, deputetët do të duhej të ishin shumë më aktivë në monitorimin e zbatimit të ligjeve. Madje, edhe monitorimi kur bëhet, duhet të bëhet në mënyrë të mirëfilltë, sepse ka pasur raste ku deputetët janë dakorduar që të shkojnë të bëjnë monitorimin e zbatimit të një ligji, por paraprakisht e kanë informuar një institucion ose kudo ku kanë shkuar të monitorojnë. Në këto raste, edhe nëse ka pasur probleme në zbatimin e atij ligji, ato janë evituar të paktën për një kohë të shkurtër”, ka thënë Murati.
Ai ka theksuar se komisionet parlamentare në Kuvendin e Kosovës, në planin e punës së tyre, shihet se kanë paraparë që të monitorojnë zbatimin e disa ligjeve, por se a do të ndodhë diçka e tillë, siç ka thënë ai, mbetet të shihet. “Zakonisht, një numër i vogël i ligjeve monitorohen nga ana e Kuvendit. Zakonisht komisionet i monitorojnë deri në dy ligje, që është numër shumë i vogël në krahasim me atë se çka do të duhej të bënte Kuvendi”, ka vlerësuar Murati.
Kryetarja e Komisionit për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, Albulena Haxhiu, nga Lëvizja Vetëvendosje, konsideron se ka shumë ligje, të cilat nuk gjejnë zbatim në terren. Megjithatë, ajo ka deklaruar se një pjesë e tyre miratohen nga Kuvendi vetëm sa për të marrë pikë pozitive në sytë e ndërkombëtarëve.
Haxhiu ka vlerësuar se monitorimin i zbatimit të ligjeve në të shumtën e rasteve nuk është bërë, pasi që Qeveria ka shpërfillur deputetët dhe kërkesat e tyre. “Kjo shpesh nuk është kryer me përgjegjësi nga ana e Kuvendit, pikërisht për faktin se në të shumtën e rasteve, përfshirë edhe Qeverinë aktuale, pra qeveritë në vazhdimësi, kanë qenë shpërfillëse karshi institucionit më të lartë ligjvënës”.
“Ne jemi në dijeni se Kuvendi i Kosovës ka nxjerrë një sërë ligjesh, por që fatkeqësisht ato kanë mbetur të pazbatuara për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve, për të cilat edhe nxirren ligjet”, ka theksuar Haxhiu.
Sipas saj, disa komisione kanë gatishmëri dhe vullnet për monitorimin e zbatimit të ligjeve, ndonëse beson se duhet të bëhet edhe më shumë. “Ka një gatishmëri të disa komisione parlamentare, sidomos komisionet parlamentare që udhëhiqen nga opozita. Por, nuk jam e kënaqur për shkak se ka potencial më shumë në mënyrë që Qeveria të vihet para përgjegjësisë dhe sigurisht ta ngremë zërin për moszbatimin e ligjeve, për shkak se ky është përnjëmend problem, sepse ne ligjet i bëjmë për nevojat e qytetarëve dhe jo sa për të mbetur në sirtarët e institucioneve dhe të pazbatueshme”, është shprehur Haxhiu.
Në republikat parlamentare, kuvendet mbikëqyrin punë e qeverisë në zbatimin e ligjeve.
Parlamenti si organ shtetëror është bartës i funksioneve më të rëndësishme shtetërore dhe politike të një shteti.
Një ndër funksionet me shumë rëndësi, të cilin e ushtron Parlamenti përveç funksionit legjislativ, është edhe ai kontrollues i ekzekutivit./rel