Kuvendi për dy ditë mirëpriti bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës
Konform kalendarit vjetor të aktiviteteve dhe Planit të Veprimit për Kuvend të Hapur, për dy ditë rresht Kuvendi i Republikës së Kosovës ka mirëpritur bashkatdhetarë nga vende të ndryshme të botës, të cilët po qëndrojnë për pushime në Kosovë.
Nën moton “Bashkatdhetarët në Kuvend” qindra syresh panë nga afër ambientet e punës në institucionin më të lartë ligjvënës e përfaqësues të vendit, duke u njohur me rolin, punën dhe mënyrën e funksionimit të tij.
Krahas zyrtarëve gjegjës të Kuvendit, të cilët pritën dhe shoqëruan gjatë gjithë kohës bashkatdhetarët, ata patën rastin të bashkëbisedojnë gjerësisht me deputetë, të cilët ndanë me ta përvojën e tyre prej ligjvënësi, duke u përgjigjur njëkohësisht interesimit lidhur me aspekte të ndryshme të jetës parlamentare por edhe me zhvillimet aktuale në Kosovë.