Kuvendi përgatitet për pushime, ligjet barten për miratim në vjeshtë
Si pasojë e dinamikës së ulët të punës në Kuvendin e Kosovës, më shumë se gjysma e ligjeve që ishin të parapara të miratohen në sezonin pranverë – verë, pritet të barten për miratim në sesionin e vjeshtës, thonë deputetë dhe përfaqësuesit e organizatave jo qeveritare që monitorojnë punën e Kuvendit.
Sipas agjendës, Kuvendi pritet të shkojë në pushime gjatë muajit gusht.
Artan Murati, analist nga Instituti Demokratik i Kosovës, tha për Radion Evropa e Lirë, se mangësitë dhe debatet jo përmbajtjesore kanë bërë që të ketë kaq shumë vonesa në miratimin e shumë ligjeve në pritje.
“Në vitin 2018 janë miratuar 26 ligje gjithsej, 48 janë proceduar duke u shqyrtuar nga komisionet parlamentare, kurse edhe 62 të tjerë që janë paraparë në agjendën legjislative pritet të vijnë në Kuvend. Disa nga këto ligje mund të dërgohen në Kuvend edhe gjatë këtij muaji, por pjesa më e madhe e tyre pritet të vijnë në sesionin vjeshtor nga shtatori e tutje. Në përgjithësi, Kuvendi ka mbetur mbrapa dhe nuk ka dinamikë në miratimin e ligjeve”, tha Murati.
Edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës thonë se me këtë ritëm të ngadaltë të punës në Kuvend nuk do të mund të arrihen afatet e parapara për miratimin e ligjeve gjatë këtij sesioni, përkatësisht para pushimeve verore.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, Kryetare e Komisionit për Legjislacion, thekson se ka pak seanca dhe ka humbur komplet mënyra e organizimit të Kuvendit. Sipas saj, pengesa më e madhe në miratimin e ligjeve është mënyra se si organizohen seancat.
“Ka një problem të madh në organizimin e punës së Kuvendit dhe një papërgjegjësi e madhe në ketë drejtim. Përgjegjësia kryesore i bie kryetarit të Kuvendit. Megjithatë, në kuadër të komisionit, ne për secilin projektligj jemi duke punuar me intensitet të lartë dhe profesionalisht po ndërhyjmë ne to”, tha Haxhiu.
Ajo tha po ashtu se një pjesë e konsiderueshme e ligjeve të cilat janë duke u miratuar janë duke u proceduar pa trajtimin e duhur.
“Qeveria është e papërgjegjshme dhe duke qenë kështu, natyrisht që duket se edhe Kuvendi është jofunksional. Është e vërtetë që ka shumë projektligje të cilat janë në komisionet parlamentar, mirëpo ajo që ne theksojmë është se nuk është e rëndësishme vetëm ajo që të përshpejtohen procedurat e votimit, por duhet të shqyrtohet përmbajtja, pikërisht duke marrë parasysh faktin se shumë projektligje të kësaj qeverie bëhen në mënyrën më të keqe të mundur”, tha Haxhiu.
Ndërkaq, Artan Murati, nga KDI, thotë se në vazhdimësi ka qenë një mungesë e vetëdijesimit të deputetëve për punën të cilën ata duhet ta kryejnë. Sipas tij, deputetët nuk janë duke i përmbushur funksionet e tyre.
“Barrën më të madhe e bartin pikërisht qytetarët sepse janë një numër i konsiderueshëm i ligjeve që janë në shqyrtim e sipër dhe që nuk po mund të miratohen. Pastaj, një numër tjetër i konsiderueshëm i ligjeve tash e sa kohë sillen në qeveri e kuvend e që ende nuk kanë arritur të miratohen, rast konkret po e marr projektligjin për Qeverinë e Republikës së Kosovës i cili është një ligj për të cilin flitet nga viti 2011, por ende nuk është sjellë formalisht në Kuvend”, tha Murati.
Kuvendin e Kosovës që nga nisja e konstituimit të tij, e kanë përcjellë zvarritje të shumta dhe ndërprerje të herë pas hershme të punës.
Procedimi i ligjeve nga Qeveria në Kuvend, dhe miratimi i tyre, sipas organizatave joqeveritare nuk garanton edhe zbatimin e atyre ligjeve.