Kuvendi ratifikon marrëveshjen me Italinë për transferimin e personave të dënuar
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë ratifikuar Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Italisë, për transferimin e personave të dënuar.
Me këtë rast, ministri i Drejtësisë, Selim Selimi, ka falënderuar deputetët e të gjitha grupeve parlamentare për mbështetjen që i kanë dhënë kësaj marrëveshje.
“Falënderoj deputetët e Kuvendit të Kosovës të bashkuar me grupet e LV-së, LDK-së, PDK-së, AAK-së, Nismës, AKR-së dhe deputetët tjerë, për aprovimin e Projektligjit për ratifikimin e marrëveshjes ndërkombëtare ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Italisë, për transferimin e personave të dënuar, duke dëshmuar unitet politik dhe përgjegjësi të lartë shtetërore”.
“Ky ligj, rezultat i një pune të madhe të Ministrisë së Drejtësisë dhe partneritetit me shtetin mik italian, ka impakt në të drejtat dhe liritë themelore të njeriut dhe si i tillë mundëson realizimin e këtyre të drejtave nga paragrafi 18 i Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Votimi i këtij ligji pos avancimit të bashkëpunimit të ndërsjellë të vendit tonë me Italinë në fushën e drejtësisë, i hapë rrugë vendosjes së drejtësisë në aspektin e rehabilitimit si dhe ri-socializmit të personave të dënuar, të cilët, sanksionet penale do të mund t’i ekzekutojnë në shtetin e vendbanimit të përhershëm”, ka shkruar Selimi në llogarinë e vet në “Facebook”.