Kuvendi sa më shpejt ta marrë vendimin për demarkacionin
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, është shprehur i bindur se një vendim i Kuvendit për demarkacionin me Malin e Zi do t’i hapte rrugë zgjidhjes së kësaj çështje.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, ai ka thënë se edhe rrëzimi i demarkacionit në Kuvend është një mundësi për të reflektuar Komisioni Evropian në raport me liberalizimin e vizave.
“Aktualisht çfarë dimë është se Kuvendi nuk ka votë për këtë marrëveshje. Nëse këtë marrëveshje e rrëzon Kuvendi, atëherë një derë mbyllet dhe një derë tjetër hapet. Do të gjendet një zgjidhje”, ka thënë Haradinaj.
Në këtë intervistë, kryeministri ka mbrojtur vendimin për rritje të pagave për kabinetin e tij dhe ka paralajmëruar se shumë shpejt Kosova mund të bëhet me ushtri.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin ekskluziv festiv të gazetës “Epoka e re”)