Kuvendi sot e vazhdon seancën plenare aty ku ka mbetur pardje
Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot për të mbajtur seancë plenare.
Në njoftim bëhet e ditur se seanca e sotme e cila është vazhdim i asaj që ka filluar të mërkurën, pritet të fillojë në orën 11:00.
“Kuvendi i Kosovës vazhdon seancën plenare (Kuvendi i Kosovës, ora 11:00)
Seanca e së mërkurës kishte filluar pasi që paraprakisht ishte mbajtur një seancë e jashtëzakonshme në lidhje me vendimin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë Elektrike për ndryshimin e çmimit të rrymës në Kosovë.
Seanca e filluar është ndërprerë për të vazhduar ditën e nesërme pasi që nuk kishte kuorum për të vazhduar rrjedha normale e seancës.
Këto janë pikat e mbetura për t’u diskutuar:
4. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 04/L-139 për Procedurën Përmbarimore, i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin nr. 05/L-118;
5. Shqyrtimi i raportit për mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit nr. 06/L-057 për Përgjegjësinë Disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve;
6. Formimi i Komisionit Ad-hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një (1) anëtar të Bordit të Radiotelevizionit të Kosovës, nga radhët e komunitetit serb;
7. Raportimi i Qeverisë së Kosovës në Kuvend rreth “Progresit në përfshirjen e objektivave të zhvillimit të Qëndrueshëm në legjislacion, politika dhe buxhet”;
8. Debat parlamentar lidhur me Raportin për Vendin për vitin 2021;
9. Zëvendësimi i anëtarit të GP LS në Komisionin për të Drejtat dhe Interesat e komuniteteve dhe Kthim.