Kuvendi sot mban seancë të jashtëzakonshme, PDK-ja rezolutë për shkarkimin dhe hetimin e Kusari-Lilës
Kuvendi i Kosovës do të mbajë sot seancë të jashtëzakonshme me fillim nga ora 12:00.
Në rend dite është vetëm një pikë: Debat parlamentar për komunikimet e kryetares së grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari – Lila, me Milan Radojiçiç, të akuzuarin kryesor për sulmin terrorist në Banjskë dhe të sanksionuarin nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
PDK ka propozuar që në këtë seancë të miratohet edhe një rezolutë nëpërmjet të cilës kërkohet nga Prokuroria e Shtetit që të nis hetime penale ndaj Kusari-Lilës lidhur me këto audioincizime.
“Kërkon nga Prokurori i Shtetit si institucione kushtetues i pavarur me autoritet dhe përgjegjësi për ndjekjen penale, që të iniciojë hetime penale në përputhje me legjislacionin në fuqi ndaj kryetares së Grupit Parlamentar të LVV Mimoza Kusari-Lila lidhur me komunikimet e saj me Milan Radoiçiq.”, thuhet në tekstin e draft-rezolutës së popozuar nga PDK-ja.
Po ashtu, kërkohet nga grupi parlamentar i LV shkarkimi i Mimoza Kusari-Lila nga funksioni i kryetares së grupit parlamentar.
Ndryshe, në audio-incizimin e publikuar, Kusari-Lila dëgjohet duke biseduar me Radojçiq për Ligjin për pagën minimale dhe zgjedhjen e një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese.
Vetë Kusari ka reaguar dje në Kuvend, ku ka thënë se video-incizimi është i fabrikuar.