Kuvendi sqaron se ekipi lobues i Veselit përbëhet nga 9 deputetë
Kuvendi i Kosovës, përmes një njoftimi ka sqaruar se ekipi lobues i kryekuvendarit Kadri Veseli, përbëhet nga gjithsej 9 persona.
“Për arsye të raportimeve të pasakta lidhur me përbërjen e delegacionit të Kuvendit të Kosovës në vizitën zyrtare në Austri, Zyra për media dhe marrëdhënie me publikun e Kuvendit sqaron se delegacioni i Kuvendit nuk përbëhet nga 30 anëtarë siç është raportuar në disa media, por vetëm nga kryetari i Kuvendit dhe nga një përfaqësues i secilit grup parlamentar, pra gjithsej 9 persona”, thuhet në sqarim.
Tutje, thuhet se zyrtarët e Qeverisë të cilët po qëndrojnë në Vjenë, nuk janë pjesë e delegacionit të Kuvendit, por pjesëmarrës në organizimin e Forumit Ekonomik që e ka organizuar Oda Ekonomike Austriake e ku janë të pranishëm edhe dhjetëra biznese ndërkombëtare.
“Delegacioni i Kuvendit të Kosovës po qëndron në Vjenë në funksion të diplomacisë parlamentare, për të takuar përfaqësuesit e Parlamentit të Austrisë për të diskutuar për bashkëpunimin ndërmjet dy vendeve dhe për përkrahjen e Austrisë për Kosovën në rrugën drejt integrimeve evropiane”, përfundon njoftimi.