Kuvendi ta miratojë më shpejt draftstatutin e ‘Trepçës’
Kryesuesi i Bordit Mbikëqyrës të Ndërmarrjes “Trepça”, Ardian Syla, ka bërë me dije se gjendja momentale e kapaciteteve prodhuese në këtë ndërmarrje nuk është e kënaqshme.
Në një bisedë për gazetën “Epoka e re”, Syla ka theksuar se prodhimi në pesëmujorin e parë të këtij viti në minierat me flotacion Stantërg, Artanë dhe Kishincë është rreth 18 për qind më i ulët se në pesëmujorin e parë të vitit 2017.
Ai ka thënë se aprovimi sa më i shpejtë i statutit të ndërmarrjes “Trepça” nga ana e Kuvendit të Kosovës do t’i hapte rrugë zhvillimit të gjithëmbarshëm të kësaj ndërmarrje.
“Epoka e re”: Z. Syla, cila është gjendja momentale e kapaciteteve prodhuese të “Trepçës”?
Syla: Funksionimi i Ndërmarrjes “Trepça”, duke përfshirë edhe njësitë prodhuese, që nga paslufta është përcjellë me vështirësi të shumta. Gjendja momentale e kapaciteteve prodhuese nuk është e kënaqshme. Prodhimi në pesëmujorin e parë të vitit 2018 në minierat me flotacion Stantërg, Artanë dhe Kishincë është rreth 18 për qind më i ulët se në pesëmujorin e parë të vitit 2017 dhe arsyet për këtë performancë jo të mirë të njësive prodhuese janë në kuadër të sfidave me të cilat po përballemi. Miratimi i Ligjit për “Trepçën” ka qenë një hap tejet i rëndësishëm dhe i domosdoshëm i cili e ka shpëtuar “Trepçën” nga falimentimi apo likuidimi eventual. Mirëpo, vështirësitë në zbatimin e këtij ligji, vonesat në emërimin e Bordit Mbikëqyrës si dhe vonesat në hartimin dhe aprovimin e Statutit të Ndërmarrjes “Trepça sh. a.” kanë ndikuar në performancën jo të mirë të ndërmarrjes. Prandaj, aprovimi sa më i shpejtë i statutit të ndërmarrjes nga ana e Kuvendit të Kosovës do t’i hapte rrugë zhvillimit të gjithëmbarshëm të ndërmarrjes.
(Intervistën e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të gazetës “Epoka e re”)