Tahiri: Kuvendi t’i thotë jo ndryshimit të kufijve
Ish-ministrja e Dialogut, Edita Tahiri, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës t’i thotë jo idesë për korrigjimin e kufirit me Serbinë.
Ajo ka thënë se Kuvendi ka përgjegjësi historike për të dalë në mbrojtje të territorit dhe kufijve të shtetit.
Në këtë intervistë dhënë për gazetën “Epoka e re”, Tahiri ka shprehur optimizëm se të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvend do ta votojnë rezolutën kundër ndryshimit të kufijve të Republikës së Kosovës.
Ajo ka vlerësuar se lëvizja e kufijve në Ballkanin Perëndimor destabilizon paqen dhe stabilitetin në rajon.
Tahiri ka theksuar se historikisht ndryshimi i kufijve është bërë me luftë dhe, sipas saj, ka rrezik të shkohet drejt luftës. Ajo ka deklaruar se ideja e korrigjimit të kufirit pikë qendrore ka veriun e Kosovës
“Epoka e re”: Znj. Tahiri, sot (e martë) do të mbahet seanca e jashtëzakonshme e iniciuar nga opozita që ka për qëllim miratimin e rezolutës për mbrojtjen e integritetit territorial të Kosovës. Çfarë epilogu prisni nga ky debat parlamentar?
Tahiri: Kuvendi i Kosovës ka përgjegjësi historike për t’i thënë jo ndryshimit të kufijve të shtetit të Kosovës për shumë arsye. Kosova është bërë shtet i pavarur dhe sovran falë luftës sonë për liri dhe gjakut të derdhur të heronjve, dëshmorëve dhe martirëve për këtë shtet e për këta kufij. Toka e Kosovës është e shenjtë jo vetëm për popullin e Kosovës, por edhe për kombin shqiptar, pra ruajtja e integritetit territorial të Kosovës është interes kombëtar. Shqiptarët historikisht kanë qenë humbës të tokave të tyre, tokat shqiptare janë tkurrur në vazhdimësi dhe nuk mund të lejojmë që të ndodhë kjo edhe më tutje. Ashtu siç po kundërshtohet fuqishëm nga të gjithë, edhe Kuvendi duhet ta kundërshtojë këtë ide me miratimin e rezolutës ku vihet vija e kuqe se kufijtë e Kosovës janë të pacenueshëm ashtu siç e thotë edhe Kushtetuta. Veriu i Kosovës dhe Lugina e Preshevës janë toka shqiptare dhe ato nuk mund të këmbehen. Lëvizja e kufijve në Ballkan destabilizon paqen dhe stabilitetin në rajon. Historikisht Ballkani nuk ka ndryshuar kufij me paqe, por gjithmonë janë bërë me luftë dhe ka rrezik që të shkohet drejt luftës.
“Epoka e re”: Por partia më e madhe në pushtet mbajtjen e kësaj seance po e quan absurde. Si e komentoni këtë kundërshtim të PDK-së?
Tahiri: Pres që të gjitha partitë e përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, pra edhe partitë në pushtet edhe ato në opozitë, ta votojnë rezolutën kundër ndryshimit të kufijve të Kosovës. Kjo fare nuk është një ngjarje absurde, por është një ngjarje e rëndësishme ku organi më i lartë i vendit, Kuvendi i Kosovës, deklarohet dhe i thotë jo ndryshimit të kufijve. Me retorikat që këto ditë janë bërë për këtë temë, në botë ka shkuar sinjali mjaft i dyshimtë për faktin se presidenti i Kosovës ka dalë me propozimin për korrigjimin e kufirit. Mirëpo u kundërshtua plotësisht nga spektri politik, nga institucionet e Kosovës, nga kryetari i Kuvendit dhe Kuvendi duhet ta konfirmojë këtë kundërshtim në mënyrë që edhe bota ta marrë sinjalin që Kosova zyrtarisht është kundër ndryshimit të kufijve. Pra, ka shumë peshë të madhe, sidomos për disa qarqe që kanë filluar të oscilojnë në këtë çështje, ndërsa për qarqet apo faktorët ndërkombëtarë vendimmarrës që kanë folur kundër ndryshimit të kufijve kjo është edhe një përgjigje që Kosova vazhdon ta mbrojë qëndrimin se nuk ka ndryshim të kufijve.
“Epoka e re”: Ka rrezik të dështojë miratimi i kësaj rezolute?
Tahiri: Është një përgjegjësi historike e Kuvendit dhe jam e bindur se të gjitha partitë politike parlamentare do të jenë në nivelin e përgjegjësisë shtetërore dhe përgjegjësisë strategjike në mbrojtje të territorit dhe kufijve. Jam e bindur se Kuvendi edhe një herë do ta rikonfirmojë përgjegjësinë e vet historike në mbrojtje të kufijve të Kosovës. Nuk pres që mund të ketë deputetë në Kuvendin e Kosovës i cili ka dhënë betimin për ta mbrojtur Kushtetutën e Kosovës e që mund të flasë ndryshe. Tekefundit, çdoherë që bëhemi deputet e nënshkruajmë Deklaratën e Betimit për të mbrojtur Kushtetutën e Republikës, pra për ta mbrojtur sovranitetin, integritetin territorial dhe kufijtë e Republikës së Kosovës. Mos të harrojmë se ne në Kuvend e kemi nënshkruar Deklaratën e Pavarësisë në vitin 2008 dhe kemi përgjegjësi t’i mbrojmë të arriturat shtetërore dhe përpjekjet 100-vjeçare. Tani është koha të rikonfirmojmë se me asnjë çmim dhe në asnjë rrethanë nuk ndryshojmë kufijtë.
“Epoka e re”: Pse po e kundërshtoni idenë e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit? Çfarë nënkupton me këtë ide?
Tahiri: Nuk besoj se kjo është ide e presidentit Thaçi, sepse edhe z. Thaçi ka kapur pushkën për të bërë Kosovën shtet dhe për t’i mbrojtur kufijtë. Këto janë ide të Serbisë dhe të agjendave ruse të cilat provojnë që edhe më tutje në dëm të tokave të Kosovës, Serbia të krijojë favore. Ndryshimi i kufijve, këmbimi i territoreve apo korrigjimi i kufirit pikë qendrore ka veriun. Serbia kërkon ta marrë veriun sepse është i pasur strategjikisht, pra është i pasur me miniera. ‘Trepça’ është sot miniera më e pasur në Evropë për plumb, zink dhe për metale të rralla. Pastaj është Ujmani, pastaj është pika strategjike luftarake e vëzhgimit në malin e Kopaonikut që është në pjesën e Kosovës. Veriu është pjesa më vitale e shtetit të Kosovës. Serbia vazhdimisht ka pasur synim veriun e Kosovës, prandaj na ka mbajtur 100 vjet të kolonizuar veç pse ka qenë veriu i pasur. Kosova nuk është në pozitë që të japë toka.
“Epoka e re”: Por presidenti Thaçi po thotë se me korrigjimin e kufirit nuk do të ketë as autonomi dhe as ndarje të veriut, por vetëm bashkim të Luginës së Preshevës me Kosovën. Po manipulohet opinioni me këtë ide?
Tahiri: Ajo çka flet z. Thaçi është veç deklaratë e tij. Unë po flas si njohëse e zhvillimeve historike politike në të gjitha fazat prej okupimit të Kosovës, por edhe pas luftës gjithmonë synimi i Serbisë ka qenë veriu, prandaj edhe tash është veriu i Kosovës. Nuk kemi të bëjmë me korrigjim, por kemi të bëjmë me një lojë të madhe të rrezikshme në dëm të interesave të shqiptarëve, sepse veriu, për fat të keq, në mendje koloniale hegjemoniste të Serbisë ende është i pranishëm. Vuçiqi një pionier i Millosheviqit, si duket prej asaj kohe, ka marrë mision për ta çuar përpara idenë e Millosheviqit që është shkatërrimtare për Kosovën, pra prekjen e kufijve të Kosovës dhe veriun.
“Epoka e re”: Kjo ide nuk është kundërshtuar nga ShBA-ja nëse u referohemi deklaratave të këshilltarit për siguri kombëtare.
Tahiri: Ka pasur një deklaratë të këshilltarit për siguri kombëtare të ShBA-së, z. Bolton, kur ka thënë se ‘ShBA-ja mbështet çfarëdo marrëveshje për të cilin palët pajtohen’ dhe ka thënë se ‘nuk e kundërshtojnë edhe prekjen e kufirit’. Mirëpo ne duhet t’i referohemi pjesës së parë të deklaratës ku thuhet se ‘nëse palët pajtohen’. E pra, ne i themi jo marrëveshjes, Kuvendi duhet t’i thotë jo ndryshimit të kufijve dhe mesazhi shkon në tavolinën e presidentit Trump, ku i thonë se Kosova është kundër ndryshimit të kufijve. Prandaj, nëse njëra palë nuk pajtohet, atëherë përgjigjja është jo. Edhe Amerika do ta respektojë sepse një palë po i thotë jo.
“Epoka e re”: Në rast se Kuvendi e miraton rezolutën kundër ndryshimit të kufirit, presidenti duhet të heqë dorë përfundimisht nga ideja për korrigjim të kufirit?
Tahiri: Presidenti së pari nuk është dashur të dalë fare me këtë ide. Është dashur të lihet siç ka qenë gjithmonë ide e nacionalistëve të Serbisë. Krejt këto janë ide për Serbinë e madhe. Serbia është duke e synuar veriun e Kosovës dhe duke marrë parasysh se Bosnjës ia ka marrë ‘Republika Serpskën’, dëshiron ta bëjë Serbinë e madhe dhe përsëri të bëhet një vend që është hegjemon, pra vendi që ka më së shumti fuqi sepse natyrisht mbi tokat e të tjerëve e krijon fuqinë dhe synon të jetë mbi kombet e tjera. Por, kjo nuk lejohet. E para nuk e lejojnë shqiptarët, pastaj nuk e lejojnë kroatët. Loja është për krijimin e Serbisë së madhe dhe Rusia ka për qëllim ta rrisë ndikimin në Ballkan. Me Serbinë e sotme Rusia nuk është e kënaqur, prandaj kërkon rritjen e dimensionit të Serbisë, pra ia rrit tokat për të pasur ndikim më të madh. Ne duhet të jemi strategjikë siç kemi qenë një komb në dy shtete shqiptare dhe duhet të punojmë për interesa nacionale të shqiptarëve dhe kurrsesi për tema që shkojnë në interesa të Serbisë. Prandaj, i bëj thirrje Kuvendit që të martën t’i thotë jo idesë për ndryshim të kufijve apo për shkëmbim territoresh e korrigjim të kufijve. Kuvendi duhet t’i thotë jo ndryshimit të kufijve, ta mbrojë tokën shqiptare dhe Kushtetutën e Republikës së Kosovës. Kuvendi ka përgjegjësi historike ta bëjë këtë.
Shqipe HETEMI