Kuvendi voton në parim 15 projektligje në sektorin e shëndetësisë

19 tetor 2021 | 16:43

Me 66 vota për Kuvendi i Kosovës ka miratuar në parim plotësim-ndryshimin e 15 projektligjeve në sektorin e shëndetësisë.

Këto projektligje kanë të bëjnë me shëndetin riprodhues, sëmundjet ngjitëse, transplantimin e indeve dhe qelizave, shëndetin riprodhues dhe ndërprerjen e shtatzënisë.

Ushtruesja e detyrës së ministres së Shëndetësisë, Dafina Bunjaku, ka shpalosur 15 projektligje para deputetëve të Kuvendit.

“Projektligjet kanë për qëllim harmonizimin e dispozitave ligjore. Do të krijojë një siguri juridike për mbrojtjen e shëndetit. 15 projektligje kanë kaluar procedurat ligjore dhe priten të aprovohen. Projektligji për shëndetësi, Projektligji për plotësim për sëmundjet ngjitëse, për sigurim shëndetësor, për transplantimin e indeve dhe qelizave, për ndërprerjen e shtatzënisë, për shëndetin riprodhues, për inspektoratin sanitar të Kosovës”, ka thënë ajo.

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale e ka shqyrtuar projektligjin për shëndetin riprodhues, derisa për këtë kryetarja e këtij komisioni, Fatmire Kollçaku ka thënë se projektligji i plotëson kushtet e parapara.

“Unë mund të deklarohem për secilin ligj veç e veç, që mos të deklarohem 15 herë vetëm duke ia ndërrua emrin ligjit. Në takimin e mbajtur, Komisioni ka shqyrtuar në parim projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin. Projektligjit i plotëson kushtet e parapara”, ka thënë ajo.

Kurse deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, ka thënë se do t’i votojnë këto projektligje.

Në anën tjetër ish-ministri i Shëndetësisë nga LDK-ja, deputeti Armend Zemaj, ka pohuar se 15 ligjet për plotësim-ndryshim janë vetëm improvizim, derisa i ka quajtur mashtrime, por që ka thënë se si grup parlamentar i mbështesin.

Edhe shefi i  grupi parlamentar të PDK-së, Abelard Tahir, ka thënë se i përkrahin këto projektligje.

 

 

 

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Gazetarja dhe profesoresha universitare, Xhenet Syka – Kelmendi, në zgjedhjet…