Kuvendi voton për ndarjen e 11 milionë eurove për rrymën në veri

06 maj 2021 | 15:37

Deputetët e Kuvendit të Kosovës, me 61 vota për kanë miratuar të enjten rekomandimet e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti lidhur me propozimin që Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut të energjisë elektrike të Kosovës (KOSTT) të marrë përgjegjësinë për pagesën e rrymës për serbët në katër komunat veriore. Sipas këtij vendimi, për këto komuna në veri të Kosovës janë ndarë 11 milionë euro për pagesën e rrymës. Ndërkaq, në këtë votim nuk kanë marrë pjesë deputetët e PDK-së, LDK-së dhe të AAK-së, të cilët e kanë lëshuar seancën.

Javën e kaluar Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, ka miratuar propozimin e KOSTT-it për ndarjen e këtyre mjeteve. Pas këtij vendimi, i menjëhershëm kishte qenë reagimi i opozitës.

Partia Demokratike e Kosovës ka akuzuar Qeverinë Kurti se në kundërshtim me zotimet e saj ka miratuar këtë vendim, duke shtuar se e njëjta qeveri kishte anuluar shtesat prej 30 euro për pensionistët.

Ndërkaq përfaqësuesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës kanë thënë se Qeveria Kurti është duke ndërmarrë veprime të cilat i kishte kundërshtuar si opozitë.

Ndërsa në reagimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës thuhet se 11 milionë euro është shuma të cilën duhet ta paguajnë shumica e qytetarëve të Kosovës, për një pakicë e cila në bashkëpunim me Serbinë, sfidon institucionet e republikës së Kosovës.

Lajme të sponsorizuara

Të fundit
Ish-kandidati për deputet i PDK-së, Hisen Berisha, kërkon që të…