Ky deputet i LDK-së konfirmon pjesëmarrjen në protestën e Vetëvendosjes
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Haxhi Avdyli, përmes një postimi në llogarinë e vet në “Facebook” ka bërë me dije se do të marrë pjesë në protestën e së shtunës që është thirrur nga Lëvizja Vetëvendosje.
“Për mua si deputet i ri ishte një vit lojaliteti e angazhimi në Kuvend për të ndalur keqqeverisjen e abuzimin me pushtetin, duke respektuar interesat reale të qytetarëve të përçuara shumë mirë nga vendimet e udhëheqjes së LDK-së. Kjo luftë e paepur dhe e vendosur në grupin tonë parlamentar të LDK-së do vazhdojë edhe në javët e ardhshme në Kuvend deri në rrëzimin nga pushteti të kësaj klase politike. Por kuvendi im të shtunën nga ora 14:00 deri në 16:00 do jetë sheshi për të protestuar qetë bashkë me të gjithë qytetarët paqedashës e patriotë e të gjithë orientimeve politike me vetmin qëllim – mbrojtjen e nenit 1 të kushtetutës për Kosovën unike nga pazaret e një presidenti mashtrues i cili është i dyshimtë që është shitur për agjentura të huaja e interesa personale. Shihemi të shtunën në shesh paqësisht e të vendosur si kurrë më parë”, ka shkruar deputeti Avdyli, në një shkrim të tij të gjatë në rrjetin social “Facebook”.
/Epoka e re/