Ky është 15-vjeçari që u përplas për vdekje nga treni në Itali
Një ngjarje e rëndë ka ndodhur pasditen e djeshme në Itali pasi një 15-vjeçar shqiptar u përplas për vdekje nga një tren.
Elion Shala, lindur dhe rritur në Itali, por me kombësi shqiptare vdiq pasi u godit nga një tren Eurocity pasditen e vonë të së dielës, në stacionin Chiari. Sipas policisë, djali i mitur po përpiqej të kalonte shinat për të arritur miqtë e tij që ishin në anën tjetër kur u përplas nga treni.
Elion Shala kishte kaluar një pasdite me miqtë në Romano di Lombardia dhe pasi ishin kthyer në qytet me tren ata po shkonin për në shtëpi. Por shqiptari i mitur kishte mbetur pas miqve të tij dhe në momentin që po kalonte shinat, u përplas nga treni dhe u tërhoq zvarrë për disa metra.
Trupi i pajetë u gjet pas rreth dy orësh dhe më pas u transferua në morgun e spitalit, në dispozicion të organeve të drejtësisë.
Komuniteti shqiptar në Chiari dhe jo vetëm janë tronditur nga ngjarja e rëndë. Shqiptari i mitur ishte në vitin e dytë të shkollës mekanike dhe luante me ekipin e futbollit të Chiarit për të rinjtë nën 16-vjeç.
Përveç prindërve të tij, ai kishte edhe një vëlla më të vogël.