Ky është burri që dyshohet se dhunoi disa herë seksualisht 18-vjeçaren në Shtërpcë
Gazeta Sinjali sot ka raportuar për një rast të dhunimit në komunën e Shtërpcës, ku viktimë është një vajzë 18-vjeçare. I dyshuari është arritur që të arrestohet dhe i njëjti ka përfunduar në ndalim policor.
Burimet e gazetës brenda Prokurorisë kanë bërë me dije se bëhet fjalë për 36-vjeçarin, Dejan Nikolceviç.
Nikolceviç dyshohet se disa herë ka kryer marrëdhënie seksuale me viktimën, me të cilën ka abuzuar duke e mbajtur afër vetes me dhunë dhe kërcënime të vazhdueshme.
Sinjali mëson se 36-vjeçari e ka kërcënuar viktimën sa herë që kanë kaluar kohë bashkë, duke e detyruar që pa dëshirën e saj të kryejnë seks. Bazuar në dëshminë e vajzës të dhënë në Polici, rasti i fundit ka qenë javën e kaluar, kur i dyshuari e mori me veturë dhe aty kryen marrëdhënie seksuale.
Pas përfundimit të procedurave policore, Prokurori i Shtetit ka nxjerrë aktvendim që të dyshuarit t’i caktohet masa e ndalimit në kohëzgjatje prej 48 orësh dhe i njëjti do të hetohet nën dyshimet për kryerjen e veprës penale ‘Dhunim’.
Brenda afatit ligjor, Prokuroria Themelore në Ferizaj pritet që të bëjë kërkesë për caktimin e masës së sigurisë në gjykatën kompetente.