Ky është drejtori ekzekutiv i Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka emëruar Atdhe Hetemin drejtor ekzekutiv të Institutit për Krimet e Kryera Gjatë Luftës në Kosovë.
Duke i uruar sukses në detyrën e re, kryeministri Kurti ritheksoi se Qeveria e Republikës së Kosovës është e përkushtuar për të vërtetën, të drejtën për të ditur dhe drejtësinë, si dhe për ballafaqimin me të shkuarën si kusht për një të ardhme të ndritur.
Ai ritheksoi angazhimin e vazhdueshëm institucional për adresimin e të gjitha krimeve të kryera nga Serbia gjatë luftës në Kosovë.
Atdhe Hetemi është ligjërues në Departamentin e Shkencave Politike në Universitetin e Prishtinës.
Ai ka përfunduar doktoraturën në Universitetin e Gentit në Belgjikë, me fokus në historinë politike të Ballkanit Perëndimor. Ka më shumë se pesëmbëdhjetë vjet përvojë profesionale, të përqendruar kryesisht në punë hulumtuese dhe hartim të politikave.