Ky është fjalimi i Gjukanoviqit pas fitores së zgjedhjeve presidenciale
“Ne jemi të pamposhtur!”. Me këto fjalë Milo Gjukanoviq i ka përshëndetur zgjedhjet e kësaj të diele në Mal të Zi dhe ka shpallur fitoren e tij pa qenë nevoja që vendi të shkojë në një raund tjetër balotazhi.
Sipas tij, rezultati i qartë tregon se vizioni dhe programi i tij në krye të Malit të Zi është i duhuri.
“Konfirmohet se jemi në rrugën e duhur dhe drejt anëtarësimit të vendit në Bashkimin Europian”, tha ai.
Gjukanoviq ka falendëruar qytetarët që e votuan, ata që morën pjesë në zgjedhje dhe aleatët që e mbështetën, mes të cilëve edhe shqiptarët, ndërsa përcolli edhe një mesazh për rivalët.
“Rezultati tregon qartë dhe është një mundësi që të reflektoni e të rishqyrtoni bindjet e tuaja. Asgjë nuk mund të arrihet politikisht duke mohuar gjithcka që Mali i Zi ka arritur deri më tani”, vijoi ai në mesazhin e vet.
Procesi i numërimit të votave ka përfunduar dhe Gjukanovic është shpallur fitues me 53.8 për qind të votave, ndërsa rivali i tij më i afërt, Mladen Bojanic, ka siguruar vetëm 33.5 për qind.